Telegrafi

Konfiskohen mallra kontrabandë, alkool, mish derri e pula në afërsi të kufirit me Serbinë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të mallit të kontrabanduar në afërsi të pikës kufitare me Serbinë.

Sipas komunikatës për medie, pasi është gjetur një kamion me mallra si birra, raki, mish derri, mish i konzervuar e pula ku më vonë në pikën kufitare është paraqitur një person që ka deklaruar që kamioni është i tij.

“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje – Kaçanik, Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Muçivërcë, gjatë kryerjes së detyrave në parandalimin dhe zbulimin e kontrabandës, më datë 18.11.2021 rreth orës 19:30 sipas planifikimeve taktike në terren, në rrugët malore të fshatit Korminjan, fshat afër vijës kufitare me Republikën e Serbisë, në dy raste të ndara, kanë identifikuar si të dyshuar një traktor pa targa regjistrimi me një rimorkio të improvizuar, si dhe një rimorkio të braktisur që dyshohej se kishin mall të kontrabanduar”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se traktori me rimorkiot janë sjellë në terminalin Doganor “Dheu i Bardhë”, ku në orët e mbrëmjes është paraqitur personi i dyshuar S.J. (1993), i cili ka deklaruar se traktori është pronë e tij dhe se mallin e kishte sjellë rrugëve malore nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës.

“Në të dy rastet me mall të kontrabanduar, i cili është sjellë duke iu shmangur kontrollit doganor dhe atij policorë janë konfiskuar si në vijim: 158 arka x 20 shishe x0.5 litra- birra të llojeve të ndryshme, 3 paketa x 6 shishe x 1 litra – raki, 282.6 kg – mish derri, 1 pako 5.835 kg – mish i konservuar, 12 kafaze me pula =156 copë, 10 pako x 50 copë – korniza për vendosjen e targave të automjeteve”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent me urdhër të të cilit iniciohen rastet “Kontrabandim me Mallra” ndërsa për veprime të mëtejme ligjore, është njoftuar Dogana e Kosovës dhe Njësia e Hetimeve. /Telegrafi/