Kuvendi i Kosovës të enjten miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Miratimi i këtij projektligji së bashku me 33 amendamente shtesë, ndërsa 66 deputetë votuan për.
Përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i dhanë edhe deputetët opozitarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se të njëjtin do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
E pas miratimit të Ligjit për Byronë Shtetërore ka reaguar kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njohës të fushës së drejtësisë.
Kurti: Konfiskimi i pasurisë që nuk justifikohet, është drejtësi
Miratimi i Ligjit për Byronë Shtetërore ka ngjallur edhe reagimin e kryeministrit Albin Kurti.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pasuria e fituar por që nuk arrin të justifikohet është përfitim i padrejtë, është padrejtësi, madje e tillë që thellon pabarazitë.
“Pasuria e fituar por që nuk arrin të justifikohet është përfitim i padrejtë, është padrejtësi, madje e tillë që thellon pabarazitë. Konfiskimi i saj është kompensim për shoqërinë, është drejtësi”, ka shkruar Kurti.
Haxhiu falënderon deputetët për miratimin e Byrosë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përshëndetur miratimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ministrja ka falënderuar deputetët që i dhanë dritën e gjelbër këtij Projektligji.
“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e miratuan në lexim të dytë Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu shtoi se opinionet e Komisionit të Venecias janë garanci e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Byrosë.
“Ndërkaq vet ky institucion është garanci e vendosjes së drejtësisë për luftimin e intensifikuar të korrupsionit zyrtar duke i konfiskuar të mirat e përfituara paligjshëm nga të gjithë keqpërdoruesit e fondeve dhe pasurisë publike. I falënderoj të gjithë akterët e përfshirë në përgatitjen e këtij Projektligji që shënon përmbushjen e një zotimi shtyllë të Qeverisë Kurti”, ka shkruar Haxhiu.
Miratimi i Byrosë, Miftaraj: Oligarkët që kanë mbi 25 mijë euro dhe nuk munden me i arsyetua, pasuria ju konfiskohet – veproni
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pas miratimit të këtij ligji ka kërkuar vepra nga qeveria e jo fjalë.
“E tash si të hyn ligji në fuqi, si të funksionalizohet agjencia, oligarkët që kanë mbi 25 mijë euro dhe nuk munden me i arsyetu, pasuria ju konfiskohet”, ka shkruar Miftaraj.
Miftaraj thotë se deri në fund të vitit duhet me i pa rezultatet e para të këtij ligji.
“Tash sa më pak fjalë e më shume vepra/rezultate”, ka shkruar ndër të tjera Miftaraj. /Telegrafi/