Site icon Telegrafi

Konfirmohet largimi i yllit të Milanit – ai do ta vazhdojë karrierën në Bundesliga

Milani ka marrë lajme të mira pas raportimeve se Noah Okafor do të udhëtojë gjatë ditës së sotme (e hënë) për t’iu nënshtruar testeve mjekësore tek RB Leipzig.

Okafor do të kompletojë transferimin nga Milani në formë huazimi, por që klubi gjerman do ta ketë edhe të drejtën e blerjes së kartonit.

Negociatat duket se ishin një marrëveshje e kryer, por gjithçka u ngadalësua papritmas në 48 orët e fundit, ku ishin ngritur shqetësime sa i përket kosts së lojtarit dhe lëndimeve të tij të shpeshta.

Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, diskutimet në fund dolën të ishin të suksesshme dhe u zhbllokua gjithçka që po e pengonte marrëveshjen të ecte përpara.

Kjo marrëveshje mendohet të jetë rreth 1.5 milionë euro për huazimin e lojtarit, teksa 25 milionë euro është çmimi që Leipzig duhet të paguajë nëse duan kartonin e lojtarit.

Kishte dy arsye pse Milani u desh që ta largonte Okafor në janar, pasi jo vetëm se do krijohet hapësirë për një sulmues të ri, por do te ketë një vend të lirë për një lojtar jo evropian në skuadër.

Zvicra, njësoj si Shqipëria dhe Britania e Madhe, nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, kështu që transferimet e tyre janë jashtë sferës së lirisë së lëvizjes për punë.

Kujtojmë se Milani kishte paguar 15.5 milionë euro për transferimin e Okafor nga RB Salzburg në verën e vitit 2023./Telegrafi/

Exit mobile version