Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se vetëm në komunën e Prishtinës në analizat e bëra sot për COVID-19, 37 persona kanë rezultuar pozitiv.
Gjithsej, sipas raportit të IKSHPK-së në territorin e Kosovës sonte janë konfirmuar 69 persona të infektuar me COVID-19, ku Prishtina është komuna me më së shumti të infektuar.
Sipas këtij raporti dhe të dhënave paraprake, tashmë numri i të infektuarve që janë aktiv në Prishtinë ka kaluar shifrën 400.
“Sot më 25 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 281 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 69 raste. Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 37 raste, komuna e Istogut 8 raste, komuna e Prizrenit 5 raste, komuna e Fushë Kosovës 5 raste, komuna e Mitrovicës 3 raste, komuna e Ferizajt 2 raste, dhe me nga 1 rast komunat: Drenas, Rahovec, Klinë, Lipjan, Obiliq, Pejë, Suharekë, Viti dhe Vushtrri”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
Ndërsa, sot më 25 qershor 2020, janë shëruar 75 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.246 raste, kurse raste aktive 1144.
Ndryshe, gjatë vizitës që pati sot ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në Komunën e Prishtinës, u bë e ditur se në kryeqytet janë afërsisht edhe 400 raste aktive me COVID-19.
Gjatë këtij takimi, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se në kryeqytet janë rreth 400 raste me COVID-19, mirëpo theksoi se janë duke menaxhuar situatën.
“Diku i kemi përafërsisht 400 raste aktive në kryeqytet dhe natyrisht ky komunikim dhe monitorim bëhet edhe më i vështirë. Po e them që deri më sot jemi në gjendje të raportojmë dhe të kemi situatën në kontroll sa i përket rasteve aktive, monitorimit të tyre dhe po ashtu të ndalim hovin e shpejtë të virusit që do të na shkaktonte probleme të mëdha”, tha Ahmeti.
Kurse, Zemaj para kryetarit Ahmeti paralajmëroi testime masive për COVID-19.
Sipas IKSHPK-së, nga data 08 shkurt deri më 25 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 22.725 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2.432 raste, me gjithsej 42 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. /Telegrafi/