Konferenca më e madhe në vend e Marketingut Digjital në Kosovë, Growth Tank u mbajt sot në hapësirat e Klan Arenës dhe solli folës nga kompanitë më prestigjioze amerikane dhe evropiane
Drejtori i kompanisë “Growthzilla”, Benjamin Kolenovic në një intervistë për Telegrafin ka thënë se “Growth Tank” ka lind prej dëshirës me mbledhë komunitetin e Marketingut Digjital, për shkëmbimin e ideve.
Ai po ashtu tha se njëri ndër mbështetësit e parë të kësaj nisme ishte edhe njëri prej ideatorëve të kësaj konference, i ndjeri Arlind Gjikolli (Gjikla).
“’Growth Tank’ ka lind prej një dëshire me mbledhë komunitetin e Marketingut Digjital, që me shkëmby ide, me shkëmby eksperienca edhe me provu njëri-tjetrit me ia japë një ndihmë me shku përpara. Qysh e kemi cek edhe sot, njëri ndër mbështetësit të parë të nismës sonë dhe një prej ideatorëve të kësaj konferencës është edhe Gjikla, i ndjeri Gjikla, i cili më nuk është me neve, por derisa është kjo konferencë ai ka me pasë një vend special dhe ka me u mbajt mend përgjithmonë”, tha Kolenovic.
Kolenovic tha se në edicionin e tretë të kësaj konference sot janë shtjelluar tema që kanë lidhje me Inteligjencën Artificiale”
“… kemi folës mjaft atraktivë në këtë fushë, duke fillu prej Besë Bujupit. Pastaj kishim ekspertë vendorë, si Valon Canhasi, Mërgim Cahani dhe Gentian Lluka, të cilët ndanë me neve planifikimet për vitin 2024 dhe planifikimin e festave të fundvitit”.
“Gjithashtu vazhdojmë me prezantime nga Meta, nga Google, prezantime nga doktor profesor Steffan Schmidt për Inteligjencën Artificiale. Doktor profesor Steffan Schmidt e ka kriju një produkt në kuadër të Inteligjencës artificiale, i cili tashmë në Zvicër është jashtëzakonisht i suksesshëm”, tha ai.
Tutje Kolenovic tregoi se në ditën e dytë të konferencës do të ketë punëtori.
Ai foli edhe për konferencën e vitit të kaluar.
“Në ‘Growth Tank’ të vitit të kaluar, i cili ka qenë në përmasa dukshëm më të vogla se të këtij viti, janë dy kompani që punojnë nga 150 njerëz.
“Ideja është me shkëmby eksperienca dhe me ngrit nivelin e marketingut digjital në nivel tjetër në Kosovë. Ne jemi shumë optimistë që Kosova i ka të gjitha predispozitat me qenë një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në botën e Marketingut Digjital në Evropë”.
Drejtori i “Growzilla” tha se janë duke vazhduar që ta rrisin suksesin e tyre edhe në Amerikë.
“Por gjithashtu fokusin primar mbetet përmirësimi i shërbimit ndaj klientit, përmirësimi i performancës te klientët dhe rritja edhe e kompanisë, por edhe e stafit. Edhe ma e rëndësishmja, me vazhdu me shiju këta që jemi duke e bo me shumë qejf”, tha ndër të tjera Kolenovic. /Telegrafi/