Site icon Telegrafi

Komunat pa strategji për rritjen e të hyrave

“Një pjesë e komunave të Kosovës kanë probleme me qëndrueshmërinë financiare, të cilat nuk kanë strategji të veçantë se si ti rrisin të hyrat vetanake”. Kështu u tha në tryezën, e organizuar nga Iniciativa për progres (INPO), ku u diskutua rreth kufizimeve dhe mundësive që kanë komunat në planifikimin dhe realizimin e të hyrave vetanake.

Në analizën e publikuar nga INPO titulluar, “(Pa)Qëndrueshmëria financiare e komunave”, ku janë përfshirë komunat: Prishtina, Ferizaj, Shtime, Kaçanik dhe Hani i Elezit, theksohet se niveli i ulët i bashkëpunimit në mes të institucioneve qendrore me ato lokale, vazhdon të jetë pengesë në rritjen e efiçiencës në alokimin dhe përdorimin e të hyrave vetanake.

“Komunat vazhdojnë të realizojnë të hyrat nën presion të afateve kohore dhe ligjore dhe që në raste vjen deri te rënia e menaxhimit të efiçiencës dhe përdorimit të parasë publike në mënyrë transparente. Ndarja e buxhetit vazhdon të bëhet nga të dhënat e regjistrimit të vitit 2011 e që ka një diferencë me vitin aktual, ku ka nevojat dhe kërkesat e qytetarëve janë joreale konform ndarjes buxhetore”, thuhet në analizë.

Mirëpo, kryetarët e komunave kanë adresuar kritika në drejtim të nivelit qendror, duke theksuar se kanë një kufizim të mjeteve nga Ministria e Financave, e cila paraqet pengesë kryesore për realizimin e projekteve. Sipas tyre, buxheti nëpër komuna ndahet më shumë tek kryetarët e atyre komunave që përfaqësojnë qeverisjen e vendit.

Ata po ashtu kanë kritikuar Qeverinë për marrjen e vendimit për faljen e borxheve publike, i cili sipas tyre, ka ndikuar në rënien e inkasimit të të hyrave vetanake në bazë të planifikimit.

“Falja e borxheve nga Qeveria ka qenë skandal. Po i dënon qytetarët e ndershëm dhe ata që përfillin ligjin, rendin dhe rregullin dhe po i favorizon ata që janë kundër shtetit, nuk i paguajnë taksat, tatimet, ujin, mbeturinat, energjinë… Po i diskriminojmë të gjithë ata që kanë kontribuar për shtetin dhe po i favorizojmë ata që nuk e njohin shtetin”, ka thënë Xhavit Zariqi, nënkryetar i Komunës së Ferizajt.

Arbër Kadriu, drejtor ekzekutiv i INPO-së, ka thënë se komunat e vogla dhe të mesme shpenzimet që rrjedhin prej të hyrave vetanake i kanë të përqendruara kryesisht për mirëmbajtjen e administratës publike, e cila është e ngarkuar politikisht me vende pune.

Ndërsa, Petrit Popova, drejtor i Departamentit për buxhet komunal në Ministrinë e Financave, ka thënë se askush nuk i ndalon komunat që të realizojnë më shumë të hyrat vetanake, por sipas tij, problemi më i madh është te niveli profesional dhe menaxherial.

“Në komuna duhet të ngritët niveli i kapacitetit profesional. Nëse dëshirojmë që të synojmë për të konkurruar në rajon me shtete tjera duhet të ngritët disiplina dhe kapaciteti profesional te komunat, duke u nisur nga kryeqyteti e tutje për të thithur fonde nga donatorët ndërkombëtarë. Problemin e shoh te menaxhimi, efikasiteti si po planifikohet dhe po shpenzohet ai buxhet, kjo është detyrë parësore”, ka theksuar Popova, duke shtuar se legjislacioni dhe parametrat janë zbatuar në përgjithësi kur është ndarë buxheti për komunat për kategoritë ekonomike për vitin 2015.

Komunat, sipas tij, kanë planifikuar projeksione për vitin 2016 në shumën prej 76 milionë euro. Ndërsa, nga 74 milionë euro që është plani i të hyrave vetanake për komunat e Kosovës, gjatë këtij viti (janar-tetor) janë grumbulluar 42.5 milionë euro, apo 57% nga plani.

“Në bazë të kësaj vërehet që është një trend i dobët i realizimit të hyrave vetanake, krahasuar me planin vjetor; një përqindje e nivelit të ulët të shpenzimit të të hyrave nga ajo që është realizuar dhe sfida se sa mjete do të barten nga ky vit në vitin tjetër si praktika”, ka thënë Popova.

Ndërsa, Rufki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, ka thënë pasi që i bëjnë planifikimet kanë probleme me nivelin qendror, për shkak se ua përcakton shumën e saktë të hyrave vetanake të komunës duke u bazuar në të hyrat vetanake të vitit paraprak.

“Hani i Elezit ka pasur një mospërputhshmëri në mes nivelit qendror dhe lokal, ku për një vit kemi pasur të hyra të paplanifikuara për rreth 30%. E mbi këtë bazë niveli qendror ka planifikuar të hyrat vetanake”, ka thënë ai.

Në analizën e INPO-së theksohet se rënia e të hyrave në disa komuna ka rezultuar si pasojë e numrit të vogël të banorëve; numrit të vogël të ndërmarrjeve që zhvillojnë aktivitete biznesore; mungesa e investimeve nga investitorët potencialë; dhe emigrimi dhe papunësia.

Mirëpo kërkohet që komunat të hartojnë sa më shpejtë planin dhe strategjinë e detajuar për rritjen e të hyrave vetanake. /kosovalive360/

Exit mobile version