Një numër në rritje i komponentëve nga Kina janë gjetur në armët ruse, ka thënë një këshilltar i lartë në zyrën e Volodymyr Zelensky.
Vladyslav Vlasiuk, i cili këshillon shefin e shtabit të presidentit për politikën e sanksioneve, tha se kur bëhej fjalë për armët e marra nga fusha e betejës, trupat e armatosura po vazhdonin “të gjenin pajisje elektronike të ndryshme”, përcjell Telegrafi.
Ai i tha Reuters: “Tendenca është tani që ka më pak komponentë të prodhuar nga perëndimi, por më shumë – jo e vështirë të merret me mend se cili vend – ka bërë komponentë. Sigurisht, Kina”.
Kina, e cila e ka pozicionuar veten si ndërmjetëse gjatë luftës, ka mohuar vazhdimisht dërgimin e pajisjeve ushtarake në Rusi që nga fillimi i agresionit në Ukrainë nga Moska vitin e kaluar.
Por informatat e mbledhura nga ekspertët ukrainas nga fusha e betejës kanë pohuar se komponentë të prodhimit kinez u gjetën në një sistem navigimi në dronët ajror Orlan që kishin përdorur më parë një sistem zviceran.
Ekspertët gjithashtu raportuan se gjetën pjesë kineze në sistemin e kontrollit të zjarrit në tanket ruse që kishin përdorur më parë pjesë të prodhimit francez.
“Ne po mbledhim shumë gjëra të ndryshme, të prodhuara nga Kina”, shtoi zoti Vlasiuk.
Sky News thotë se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këto inforamta.
Ndërsa ministria e Jashtme e Kinës i tha Reuters: “Gjatë historisë, Kina ka nisur një bashkëpunim normal tregtar me të gjitha vendet, përfshirë Rusinë, mbi bazën e barazisë dhe përfitimit reciprok”.
“Sa i përket eksporteve të artikujve ushtarakë, Kina ka adoptuar gjatë gjithë kohës një qëndrim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Pozicioni dhe veprimet e Kinës kanë qenë gjithmonë të tilla”. /Telegrafi/