Një nen i ligjit të pagave por edhe atij të punës ndonëse janë në fuqi që nga viti 2010 do të fillojnë së implementuari tek këtë vit. Bëhet fjalë për punën shtesë gjate fundjavës që duhet të kompensohet 50% në orë.
Që nga viti 2010 sa ishte në fuqi, një nen i Ligjit të pagave në sektorin publik do të filloj së implementuar tek këtë vit, në 2025-n.
Bëhet fjalë për shtesën 50% në rast se kryhet punë gjatë fundjavës.
E sektori që e bën këtë më së shumti është ai i sigurisë, respektivisht Policia e Kosovës.
Madje, zyrtarë të këtij institucioni për vite me radhë kanë paditur shtetin për mospërmbushjen e këtij akti.
E njoftimi që këto shtesa tani do t’i marrin i ka shkuar secilit zyrtarë policor këtë javë. Këtë e konfirmuan edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.
Ligji e specifikon qartë, që pos kësaj shtese punëtorët e sektorit publik përfitojnë shtesa edhe në raste tjera.
“Kompensimi sipas paragrafit 1. të këtij neni paguhet në përqindje të pagës bazë sipas ligjit përkatës për punë, si më poshtë: 20 % në orë për kujdestari; 30 % në orë për punë gjatë natës; 30 % në orë për punë jashtë orarit; 50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe 50 % në orë për punë gjatë fundjavës”, thuhet në nenin 36 i Ligjit për Pagat.
Ish-zyrtari policor tash avokat, Visar Rrecaj po thotë se moszbatimi i këtij ligji deri tash është i padrejtë, sidomos për Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës që është zbatuese e ligjit nuk ka arritur që ligjin ta zbatoj per vete dhe interesa të veta, kjo është e pakuptimtë dhe absolutisht e padrejtë dhe e pandershme”, ka theksuar për Tv Dukagjinin Visar Rrezaj – avokat, ish-polic.
Ai tash përfaqëson disa zyrtarë policor të cilët kanë ushtruar padi pasi që nuk i janë kompensuar këto shtesa për orare jashtë ditëve të zakonshme të punës dhe thotë se kjo ka ndodhur shumë shpesh.
“Janë iniciuar padi në gjykatat kompetente dhe jemi duke pritë që të caktohen seancat sepse këta zyrtarë policor kanë pasur të drejtë me ligj sepse ligji është në fuqi që nga viti 2010 dhe nuk ka pas asnjë justifikim që të mos zbatohet deri tani”, ka deklaruar Rrecaj.
Sindikata e Policisë së Kosovës i ka thënë televizionit se implementimi i këtij neni të ligjit të pagave pritët të filloj së zbatuari nga paga e muajit të ardhshëm.