Kompania e Peter Duncanit, e një ylli televiziv britanik për TV programet, ka lansuar produktet e veta të reja turistike për publikun britanik, ku përfshihet edhe një udhëtim në Bjeshkët e Nemuna, përkatësisht në Pejë, në Junik dhe në qytetin e Prizrenit. Oferta që tashmë ka dalë në shitje.
“The Natural Adventure Company”, ku Duncan është bashkëpronar, ka punuar me donatorët zviceranë, me Komunën e Pejës dhe “Marimangat” e Pejës në dizenjimin e këtij produkti.
Deri tash bërë disa punë, ndërsa pranvera i pret partnerët që të përgatitin terrenet ku klientët do te ecin dhe kënaqen me bjeshkët e Kosovës. Partneriteti është bërë me iniciativë të Natural Adventure Company dhe Marimangat, të cilëve më vonë ju kanë bashkuar edhe partnerët tjerë.
“Jam i lumtur për lansimin e produktit. Komuna e Pejës është e lumtur dhe mirëpret zhvillimet e këtilla”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik të Pejës, Artan Gashi. “Ne e kemi takuar ekipin, kemi dhënë ndihmë fillestare dhe gjithsesi se do t’i përkrahim në të ardhmen”.
Nol Krasniqi, kryetar i “Marimangave” të Pejës thotë se kanë punuar me hulumtuesit e kompanisë dhe se ata janë ndarë të kënaqur me ofertën e Kosovës dhe me ta si bashkëpunëtorë lokalë.
“Është një investim individual i anëtarëve të ‘Marimangave’, por shpresojmë se kjo do të na shpërblehet me vizita turistike”, thekson Krasniqi.
Ndërkaq, menaxheri i projektit nga ana e “Marimangave”, Virtyt Gacaferri, thotë se vitin e parë presin një fluks më të vogël të vizitave, për shkak të paragjykimeve që njerëzit mund të kenë për imazhin e Kosovës.
“Mirëpo me vazhdimin e promovimit të ofertës, në vitet në vijim presim që vizitat të shumëfishohen pasi do të kemi referenca të mira”, shton Gacaferri.
Udhëtimi në Kosovë është i tipit “selfguided”, ku turistët do të marrin ndihmë lokale, por do të shëtisin vetëm e pa guidë, gjë që e bënë Kosovën të konsiderohet edhe një vend i sigurt.
Paketa për Kosovë reklamohet së bashku me udhëtimet tjera në Ballkan, përfshirë Greqinë, Bullgarinë dhe Rumaninë.
Për më shumë, klikoni në faqen Natural Adventure, këtu. /Telegrafi/