Site icon Telegrafi

Incidentet në Las Vegas: McGregor pezullohet gjashtë muaj, kurse Khabib nëntë muaj

Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor (Foto: Steven Ryan/Getty Images/Guliver)

Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov kanë marrë dënimet respektive për përfshirjen e tyre në incidentet që ndodhën në ‘UFC 229’ në muajin tetor të vitit të kaluar.

Pas fitores ndaj irlandezit, ylli nga Dagestani doli nga ‘Tetëkëndëshi’ dhe sulmoi pjesëtarët e stafit të Conor, derisa edhe ky i fundit u përfshi në një përleshje me anëtarët e ekipit të Khabibit brenda kafazit.

Në këtë mënyrë, Conor McGregor është pezulluar për gjashtë muaj dhe është gjobitur me 50.000 dollarë (43.760 euro).

Lexo po ashtu Lexoni të gjitha lajmet nga UFC

Ndërsa Khabib Nurmagomedov është pezulluar për nëntë muaj dhe është gjobitur me 500.000 dollarë (437.600 euro).

Që të dyja suspendimet do të numërohen nga data e meçit të zhvilluar në Las Vegas. Ndërkaq, Khabibit mund t’i zvogëlohet pezullimi në gjashtë muaj nëse merr pjesë në një fushatë kundër përqeshjeve në Nevada të SHBA-ve.

Kështu që ylli nga Irlanda pritet të kthehet në muajin prill, derisa ai nga Dagestani pritet të kthehet në muajin qershor pas Ramazanit, pasi është praktikues i fesë islame dhe do të agjërojë.

Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Komiteti Atletik i Shtetit të Nevadës (NSAC) i ka pezulluar edhe dy anëtarët e ekipit të Khabibit, Abubakar Nurmagomedov dhe Zubaira Tukhugov, të cilët janë suspenduar për një vit dhe janë gjobitur me nga 25.000 dollarë (21.870 euro).

Kujtojmë që incidenti ndodhi menjëherë pas triumfit të Nurmagomedov në raundin e katërt ndaj Conor McGregorit, me ç’rast Khabib dola nga kafazi dhe shkoi drejt ekipit të Conor, derisa ky i fundit u përlesh në ‘Tetëkëndësh’ me anëtarë të stafit të rivalit të tij. /Telegrafi/

Exit mobile version