Rivali i Vladimir Putinit, Boris Nadezhdin, ka njoftuar se i është ndaluar të kandidojë në zgjedhjet ruse të marsit, dhe është zotuar të nisë një apel në gjykatën supreme të vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tha se kishte gjetur të meta në nënshkrimet që Nadezhdin dhe aleatët e tij kishin mbledhur në mbështetje të kandidaturës së tij, dhe se disa nga nënshkrimet e supozuara ishin ato të njerëzve të vdekur, transmeton Telegrafi.
Në një postim në Telegram, Nadezhdin tha se nuk është dakord me vendimin e KQZ-së dhe se “nuk heq dorë” nga planet e tij për të kandiduar për president.
“Kam mbledhur më shumë se 200,000 nënshkrime në të gjithë Rusinë. Ne e bëmë mbledhjen hapur dhe me ndershmëri – radhët në selitë tona dhe pikat e grumbullimit u vëzhguan nga e gjithë bota”, tha ai.
“Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në 2024 është vendimi më i rëndësishëm politik i jetës sime. Unë nuk po heq dorë nga qëllimet e mia”, shtoi Nadezhdin.
Ai kishte habitur disa analistë me kritikat e tij të forta ndaj asaj që Kremlini e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë, duke e quajtur luftën një “gabim fatal” dhe duke u zotuar se do të përpiqet t’i japë fund asaj përmes negociatave.
Putin është në pushtet si president ose kryeministër që nga fundi i vitit 1999, dhe kontrollon të gjitha levat e shtetit. Kremlini kishte thënë se nuk e sheh Nadezhdin si një rival serioz. /Telegrafi/