Komisioni për Integrime Evropiane mbajti të hënën një takim pune me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me qëllim të koordinimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve në procesin e lobimit për liberalizimit e vizave për Kosovën.
Kështu thuhet në njoftimin për media të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun.
Më tutje aty theksohet se duke pasur parasysh që është faza finale e vendimmarrjes së Institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) – si dhe duke pasur parasysh rolin e Komisionit për Integrime Evropiane në procesin e liberalizimit të vizave – anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane shprehen vullnetin e tyre që në koordinim me Ministrinë e Integrimit Evropian të vazhdojnë angazhimin e tyre më të shtuar në procesin e lobimit te shtet anëtare të zonës Schengen, me qëllim që ky proces sipas tyre, të përmbyllet brenda këtij viti.
“Anëtarët e komisionit për Integrime Evropiane, si dhe ministrja Hoxha, ranë dakord se nevojitet një bashkëpunim më i theksuar i të dyja palëve, që të ketë koordinim në procesin e lobimit të vizave, në atë mënyrë që të organizohen sa më shpejt takime me përfaqësuesit e shteteve anëtare dhe të merren veprimet e duhura drejt përmbylljes me sukses të këtij procesi”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/