Site icon Telegrafi

Komisioni për integrime evropiane, Deliu përplaset me Bislimin dhe Hysenin

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi ka raportuar sot në Komisionin për Integrime Evropiane, ndërsa pati përplasje ndërmjet deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra me zëvendëskryeministrin Bislimi dhe deputetin e Vetëvendosjes, Driton Hyseni.

Deliu-Kodra drejtoi kritika ndaj Qeverisë Kurti duke thënë se për këta shtatë muaj qeverisje është bërë vetëm politizim në punësime.

Ajo ngriti shqetësime edhe lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën, për çka tha se ky raport i referohet burimeve përfshirë kontributet nga Qeveria e Serbisë. Për këtë reagoi Bislimi duke thënë se për këtë është i kontaktuar departamenti i përkthimeve.

“Për mua është shqetësuese zëvendëskryeministër, kush e përkthen dokumentin ose Raportin e Progresit? Për mua është skandaloze në faqen 3 të këtij raporti thuhet që ky raport mbulon periudhën nga qershori i vitit 2020 deri në qershor të vitit 2021. Raporti bazohet në të dhëna nga një sërë burimesh, duke përfshirë kontributet nga Qeveria e Serbisë. A mund të jetë gabim teknik, sepse në gjuhën angleze, është Qeveria e Kosovës. Meqë është një dokument zyrtar është mirë ta evitoni zëvendëskryeministër, sepse mendoj që Qeveria e Serbisë nuk ka vend në këtë dokument. Zëvendëskryeministër nuk është lëshim i vogël dhe kërkoj që të evitohet meqë ka dal si dokument zyrtar i përkthyer dhe në këtë formë është ardhur në Kuvend”, theksoi ajo, raporton kp.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi tha se ky është një gabim i vogël në raport me gabimet që në të i hasin. Kjo për shkak siç tha se në të kaluarën kontrata të rëndësishme i janë dhënë kompanive të papërgjegjshme.

“Konsideroj se ky është një gabim i vogël në raport me ato gabimet që ne i hasim për shkak se në të kaluarën kontratat e tilla të rëndësishme i janë dhënë kompanive të papërgjegjshme, të cilat janë kompetente të cilat ose e vonojnë ose nuk dinë as të përkthejnë. Këto kontrata nuk janë dhënë nga qeveria Kurti. Edhe unë po them që është shumë e papërgjegjshme për arsye se këso lloj kompanive i janë dhënë kontrata në të kaluarën. Ne duhet me pritë që të përfundoj kjo kontratë në mënyrë që në të ardhmen të kemi kompani të përgjegjshme”, tha Bislimi.

Deputetja Kodra-Deliu tha se për shtatë muaj të Qeverisë Kurti pati punësime të dajve, motrave dhe tezeve e ku thekson se nuk pati depolitizim.

“Do të isha pajtuar plotësisht nëse ju si qeveri të kontribuoni për një depolitizim të administratës, por veç për këtë çështje nuk kemi çka i mbajmë leksione njëri tjetrit. Sepse 7 muaj janë qeverisje dhe çka kemi parë gjatë kësaj kohe, emërime-dajë, halla, motra e teze. E nuk mund ta quani këtë atribut të kësaj qeverie se paska ardhur në krye të qeverisë Kurti ideja që ne do t’i depolitizojmë të gjitha institucionet e pavarura”, tha Kodra Deliu.

Ndërsa deputeti i nga radhët e Vetëvendosjes, Driton Hyseni tha se raporti i Komisionit Evropian për Kosovën i referohet 9 muajve qeverisje para se VV të marrë udhëheqjen e Qeverisë. Ai kërkoi që deputetët në këtë komision të fokusohen tek raporti.

“Kolege të lutem fokusohuni tek pjesa e raportit dhe ta kemi të qartë, raporti i referohet 9 muaj qeverisje para se me ardh Vetëvendosje në Qeveri. Prandaj, duhet të jemi të saktë në atë që themi, sepse kemi përgjegjësi. Pra, të fokusohemi në raport, sepse jemi këtu për raportin”, theksoi Hyseni.

Këtu ka reaguar Deliu-Kodra duke thënë se Hyseni nuk mund t’i tregojë se në çka të fokusohet, ku edhe lëshoi mbledhjen.

“Nuk je ti këtu të më tregosh ku të fokusohemi, sepse është çështje e imja se çka dua të trajtoj këtu. Ti e kryen punën tënde, dhe të lutem më lej ta përfundoj fjalën time. Zëvendëskryeministër këtë qasje tuajën nuk mund ta kuptoj”, theksoi Deliu-Kodra.

Lidhur me deklaratat e Deliut-Kodra rreth depolitizimit, Bislimi tha se politizimin e ka bërë dikush nga subjektet që kanë drejtuar më herët.

“Nuk është mirë që ndoshta të lëshohemi në debate dhe tema që veç në margjinë prekin raportin e progresit, por për mua është me rëndësi ajo që vazhdimisht po e potenconi depolitizimi-depolitizimi, për arsye se po pranohet që institucionet janë thellësisht të politizuara, edhe politizimin e ka bërë dikush nga subjektet që kanë drejtuar”, tha Bislimi.

Exit mobile version