Site icon Telegrafi

Komisioni për Buxhet të hënën shqyrton emrat për guvernator të BQK-së

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere të hënën do të bëjë shqyrtimin e listës së kandidatëve për plotësimin e pozitës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në fillim të shkurtit, BQK-ja kishte dërguar në Qeveri dhe Kuvend emrat për përzgjedhjen e të parit të këtij institucioni.

Sipas BQK-së, pas përfundimit të veprimeve procedurale, në listën e kandidatëve janë Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj.

Më 25 janar, paneli për përzgjedhjen e të parit të BQK-së, Ismailin e kishte vlerësuar me 35.3 pikë nga 40 pikët maksimale, ndjekur nga Kryeziu me 34 pikë, ndërsa zëvendësguvernatori Ismaijli aktual ka marrë 33 pikë dhe Himaj që është vlerësuar me 26 pikë.

“Pas përfundimit të veprimeve procedurale, më 01.02.2023 është dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri listën e kandidatëve për pozitën e guvernatorit/es të Bankës Qendrore të Kosovës”, thuhej në njoftimin e BQK-së.

Lexo po ashtu BQK-ja i dërgon në Qeveri dhe Kuvend emrat për guvernator

Sipas shpalljes që ishte bërë nga BQK-ja, emërimi do të jetë për një mandat pesë vjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.

Procesi i përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve për pozitën e të parit të BQK-së, po vlerësohet se është përcjellë me parregullsi. Të gjitha këto pretendime i ka përmbledhur një mendim të ndarë nga anëtarët tjerë, kryesuesi i panelit për përzgjedhjen e kandidatëve, Flamur Mrasori.

Mrasori, i cili tashmë nuk është në pozitën e kryetarit të Bordit të BQK-së, ka adresuar parregullsi gjatë procesit të përcaktimit të listës së kandidatëve të propozuar për Kuvend dhe Qeveri për t’u përzgjedhur në pozitën e guvernatorit.

Në bazë të Ligjit për BQK-në, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.

“Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë ditëve”, thuhet në pikën dy të nenit 38.

Mirëpo, në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, BQK-ja udhëhiqet nga Mehmeti. Këtij të fundit i skadon mandati në mars të këtij viti e që ishte emëruar më 2018. /Telegrafi/

Exit mobile version