Telegrafi

Komisioni Evropian thotë se qortimi për Malin e Zi dhe Maqedoninë për t’i vendosur viza Kosovës ishte gabim: Do të përmirësohet

Raporti i Komisionit Evropian ku qortoheshin Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që nuk kanë vendosur regjim të vizave për Kosovën, ka ngjallur reagime të shumta.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar lidhur me këtë raport duke e quajtur të papranueshëm.

Veçanërisht sipas tij, është shqetësuese pasi Kosovës me vjet i është bërë e padrejtë duke i mohuar liberalizimi i vizave.

Megjithatë, ambasadori është lajmëruar edhe këtë të martë në Twitter lidhur me këtë çështje, duke treguar se Komisioni Evropian do të përmirësojë raportin meqë aty është shkruar gabimisht se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i vendosin viza Kosovës.

“Komisioni i BE-së sapo njoftoi se do të korrigjojë Raportin e tij, i cili gabimisht nënkuptonte se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të vendosin viza për Kosovën”, ka shkruar ambasadori Bajrami.

Edhe në një konferencë për media, zyrtarë nga Komisioni Evropian kanë theksuar se nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se e përkrahin me prioritet, lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Mund të konfirmoj që s’ka ndryshim të pozicionit të Komisionit Evropian. Komisioni mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Për këtë çështje specifike, ne e kemi sqaruar derisa folëm dhe do të lëshojmë raportin e përmirësuar”, ka thënë një zëdhënëse e Komisionit Evropian./Telegrafi/