Site icon Telegrafi

Komisioni Evropian rekomandon ngrirjen e fondeve prej 7.5 miliardë eurove për Hungarinë

Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën bllokimin e fondeve prej 7.5 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Hungarinë shkaku i problemeve me sundimin e ligjit.

Budapesti kishte kohë deri më 19 nëntor për të miratuar 17 reforma të negociuara me ekzekutivin e BE-së gjatë verës për të shmangur ngrirjen e fondeve nga Brukseli si pjesë e mekanizmit të sundimit të ligjit.

“Ndërsa një numër reformash janë ndërmarrë ose janë duke u zhvilluar, Hungaria dështoi të zbatojë në mënyrë adekuate aspektet qendrore të 17 masave të nevojshme korrigjuese…siç ishte zotuar”, njoftoi Komisioni, raporton euronews.

“Si rezultat, Komisioni ka vendosur të mbajë propozimin fillestar të 18 shtatorit për të pezulluar 65 për qind të angazhimeve për tre programe operacionale nën politikën e kohezionit, në vlerë prej 7.5 miliardë euro”, shtoi Komisioni.

Komisioneri i Buxhetit, Johannes Hahn argumentoi se mekanizmi i ri i kushtëzimit të shtetit të së drejtës ishte “mjeti i duhur për t’u zbatuar” pasi ato reforma “nuk do të kishin ndodhur kurrë ndryshe”.

Ndërkohë, Komisioni ka miratuar planin 5.8 miliardë euro të Hungarisë për Rimëkëmbjen pas COVID-19 – një hap që kërkohet para fundit të vitit me Hungarinë të vetmin shtet anëtar që nuk e ka miratuar ende planin. /Telegrafi/

Exit mobile version