Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në Samitin rajonal për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE ka folur për Planin e Rritjes.
Në fjalën e tij, ai është shprehur se “jemi në fillimet e një ndryshimi rrënjësor, por edhe shumë të shpejtë në Ballkanin Perëndimor”.
“Besoj se është shumë e qartë që tashmë Planin e Rritjes të gjitha vendet e rajonit e kanë marrë në dorë dhe duan pronësinë e këtij plani. Por, që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë vetë përpara me shpejtësi, transmeton Telegrafi.
Kjo do të thotë, të arrihen rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional. Ky plan do të funksionojë në rast se ju i respektoni rregullat e BE-së”, ka thënë Varhelyi, duke iu drejtuar liderëve rajonalë.
Komisionieri i BE-së tutje ka thënë se ka ngelur dhe gjysma e kohës për të vënë në zbatim këtë plan, ndërsa ka shtuar se BE duhet të ofrojë të gjitha përfitimet për vendet që do të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.
“Edhe pse ne po afrojmë fundin e mandatit tonë, dua të lëmë diçka pas, diçka serioze. E prekshme. Diçka që të jetë e ndjeshme për aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm. Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në BE. BE duhet të që të ofrojë të gjithë përfitimet që sjell anëtarësimit. Kjo është ideja jonë që vjen me planin e rritjes. Është plan ambicioz. Kemi gjysmën e kohës për ta vënë në zbatim.
Dëshira ime është edhe për partnerët tanë të institucioneve financiare që përveç 30 miliardë eurove ne kërkojmë që ju të na jepni edhe një 6 miliardë tjetër që e sjell të gjithë këtë në nivelin e fondeve strukturore të Bashkimit Evropian për shtetet anëtare. 19 për qind e atyre që do të ofrohen në rajon do të merren deri në vitin 2027”, ka deklaruar ai.
Varhelyi ka theksuar se Tirana është kthyer në një pikë-takim për të gjithë rajonin dhe për të shtyrë më tej përpjekjet e vendeve të Ballkanit për t’u bërë pjesë e BE-së. /Telegrafi/