Dyshja nga Rusia e njohur për shakatë në llogari të fytyrave publike, i kanë telefonuar ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, i cili i zbuloi dyshes mendimet e tij mbi sabotimin e gazsjellësit Nord Stream shtatorin e kaluar, shkruan Newsweek.
Diplomati 100-vjeç, i cili ishte Sekretar i Shtetit i SHBA midis 1973 dhe 1977 dhe ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, është bërë personi i fundit që është mashtruar nga dyshja e njohur si Vovan dhe Lexus, transmeton Telegrafi.
Vladimir Kuznetsov dhe Alexey Stolyarov në mashtrimin e tyre të fundit iu paraqitën Kissinger-it si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kissinger u pyet se kush mendonte se qëndronte pas sabotimit të gazsjellësit Nord Stream që transportonte gaz midis Rusisë dhe Gjermanisë.
“Sinqerisht mendova se ju ukrainasit e keni bërë këtë”, u tha Kissinger.
Më pas njëri prej tyre e pyeti: “Vërtet? Mendoje se ishim ne?! Jo, jo, nuk jemi…”.
Kissinger më pas u përgjigj: “Por unë nuk të fajësova ty”, duke sugjeruar se ai nuk donte që vërejtja të ishte një kritikë. /Telegrafi/