Qyteti Severodonetsk në rajonin e Luganskut, ditëve të fundit është bërë “vatër” e luftimeve më të mëdha mes forcave ukrainase dhe atyre ruse.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen ukrainase Pravda, komandanti i ushtrisë ukrainase në Severodonetsk, Petro Kuzyak sjell detaje rrëqethëse nga ofensiva brutale e forcave ruse, transmeton Telegrafi.
Severodonetsku është pikë e rëndësishme për planet ruse. Ky qytet industrial me më shumë se 100 mijë banorë, është bërë praktikisht qendra e re administrative e këtij rajoni.
Në fillim Kuzyak tregoi sesi ukrainasit kanë të dhëna se kolona të gjata të tankeve ruse janë nisur në drejtim të Severodonetskut.
“E kam kuptuar që armiku ka koncentruar përpjekjet në formimin e një lloj kazani nga Popasna dhe Belogorovk. Edhe këtu, po manovron – duke tentuar të futet – por koncentrimi i tij duket se nuk është i mjaftueshëm për ta marrë nën kontroll qytetin”, shtoi komandanti ukrainas.
Ai konsideron që taktika ruse ka mbetur e pandryshuar në kuptimin, që në mënyrë masive të thyejnë dhe bombardojnë pozicionet ukrainase me artileri – këmbësori, e nganjëherë së bashku me tanke të avancojnë gjithmonë duke u mbrojtur nga artileria.
“Sipas rregullave, këmbësoria pëson humbje – tërhiqet, më pas sërish kyçet artileria – dy apo tri tentim sulme sërish me këmbësori. Artileria punon nga katër orë, më pas sërish këmbësoria tenton të futet – artileria sërish tenton për tri apo katër orë e kështu e njëjta gjë ndodhë. Kjo taktikë e tyre është dëshmuar se ka dështuar. Duke parë se nuk po mund ta fusin nën kontroll qytetet, po tentojnë t’i shkatërrojnë bashkë me civilë dhe ata që duket se nuk i qëndruan besnik Rusisë. Ata nuk e kanë fare problem këtë”, shtoi ushtaraku nga Ukraina i cili i shtoi se gjatë 10 majit mbi 500 granata kanë rënë mbi caqet ukrainase brenda një ore – duke tentuar t’i thyejnë por pa ndonjë sukses. /Telegrafi/