Telegrafi

Komandant Rama kërkon angazhim dhe përkushtim nga ushtarët e ri të Kosovës

Është bërë certifikimi i rekrutëve të rinj të Forcës Sigurisë së Kosovës, gjenerata 1/2019.

Në një fjalim rasti në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka kërkuar përkushtim dhe angazhim nga ushtarët e rinj të Kosovës.

“Ky trajnim i cili ka zgjatur 9 javë, ka vendosur themelin bazë për karrierën tuaj ushtarake, ky profesion fisnik kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal për t’i shërbyer vendit me nder dhe dinjitet.

Lexo po ashtu Veseli: Kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë dhe të paprekshëm

Sot jam i lumtur që ju me angazhimin tuaj keni dëshmuar që FSK në radhët e veta do të ketë djemtë dhe vajzat me të zotë të këtij vendi, gjatë karrierës suaj ju do të përballeni me sfida të ndryshme, prandaj nga ju pritet që të jeni të disiplinuar dhe të përkushtuar dhe gjithmonë të përgatitur t’i kryeni detyrat sipas udhëzime të eprorëve tuaj”, ka thënë Rama, transmeton Telegrafi.

Komandanti Rama, tha se FSK është forcë kredibile dhe multietnike e trajnuar sipas standardeve të NATO-s, e gatshme të kontribuojë për paqe dhe siguri si në regjion ashtu edhe më gjerë.

“Misioni ynë është i qartë, ai është integrimi në strukturat veri-atlantike, jemi të vetëdijshëm se ky mision kërkon angazhim dhe përkushtim shtesë mirëpo me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve tanë strategjik rrugëtimi jonë do të jetë më i lehtë”, ka thënë Rama.

Ndryshe, kjo është gjenerata e parë që i bashkohet misionit të FSK-së, me mandatin e ri si ushtri e Kosovës./Telegrafi/