Maja Kocijançiq zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, është përgjigjur për Telegrafin se cili është qëndrimi i këtij institucioni pas deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, se në Kosovë, sipas saj “janë njerëz të dalë nga mali”.
Kocijançiq për Telegrafin ka thënë se çdo retorikë që është fyese, konfrontuese, ndarëse shkon kundër qasjes bashkëpunuese dhe pajtimit për të cilat gjëra ka nevojë rajoni, për të ecur përpara.
Zëdhënësja Kocijanciq theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrijë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme dhe afatgjate mbi normalizimin e marrëdhënieve.
Siç tha ajo, status quo thjesht nuk është një opsion.
“Siç theksoi dje Përfaqësuesi i Lartë, ngjarjet e ditëve të kaluara tregojnë qartë se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili ka filluar më shumë se tetë vjet më parë, duhet të arrijë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme dhe afatgjate mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe status quo thjesht nuk është një opsion”, ka thënë Kocijanciq për Telegrafin.
Ndryshe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, gjatë një konference për shtyp në Beograd, në prani të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE), ka lëshuar një fyerje të rëndë në drejtim të liderëve të Kosovës, duke thënë se “janë njerëz të dalë nga mali”.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serb fyejnë shqiptarët. Një gjë të tillë e kishte bërë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Daçiq i kishte quajtur politikanët në Prishtinë se “janë kukulla të cilat i drejton dikush nga jashtë”./Telegrafi/