Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur për koalicionin LVV-PDK për të bashkëqeverisur me Gjilanin.
Haziri ka thënë se përzgjedhja e PDK-së si partnerë politikë nga LVV, është vullnet i funksionarëve e jo qytetarëve.
“VV ka zgjedhur partnerët politikë dhe ky është vullnet i funksionarëve e jo qytetarëve”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Ai më tej ka thënë se LDK ka qenë dhe do të mbetet gardiane e interesave të qytetarëve të Gjilanit, derisa ka shtuar se “pas zgjedhjes së kryesuesit të ri të Kuvendit Komunal të Gjilanit, në emër të LDK-së, iu dëshiroj suksese në punë në interes të qytetarëve”.
“LDK është partia më e madhe në Kuvend dhe do të sillet si e tillë. Besimin e qytetarëve do ta shtyjmë përpara si opozitë në bashkëpunim me të gjithë. LDK ka qenë dhe do të mbetet gardiane e interesave të qytetarëve të Gjilanit”, ka shkruar Haziri.
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur një koalicion për bashkëqeverisje në Komunën e Gjilanit me Partinë Demokratike të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar sot për Telegrafin, asamblisti i LVV-së në Gjilan, Ismajl Kurteshi.
“Po mund të ju konfirmoj se kemi arritur koalicion me PDK-në dhe disa parti tjera të vogla. Sot do të bëhet zyrtarizmi i marrëveshjes, PDK do ta ketë nënkryetarin e parë dhe katër drejtori”, theksoi Kurteshi.
Drejtoria për buxhet dhe financa, Drejtoria për zhvillim ekonomik, Drejtoria për bujqësi dhe ajo e Shëndetësisë janë katër drejtoritë që do të udhëhiqen nga PDK në Gjilan, përgjatë katër viteve të ardhshme./Telegrafi/