Partizani për rekord në Evropë. Një gol i pësuar në vetëm tetë ndeshje do ta kishin zili edhe klubet gjigante të kampionateve më të njohura.
Natyrisht, diferencat mes kampionateve dihen, por gjithsesi te të kuqtë kanë se me çfarë të krenohen një javë para përfundimit të fazës së parë.
Portieri Alban Hoxha ka pësuar të vetmin gol në humbjen e 1-0 kundër Kukësit. Koka e Pero Pejiçit ka thyer të kuqtë, por që prej javës së pestë porta ka mbetur e paprekur.
Në një vëzhgim të “Panorama Sport” në 10 kampionatet më të njohura në Evropë, rezulton se pas tetë javëve skuadrat që kanë pësuar më pak janë me nga tre gola. Diferencën e bëjnë Atletico Madrid në Spanjë, Feyenord në Holandë dhe Spartak Moska në Rusi, që kanë pësuar nga tri herë deri në javën e tetë.
Më pas vjen ekipi legjendë gjerman, Bayern Munich, që është ndëshkuar katër herë. Po kaq ka pësuar edhe skuadra kryesuese e kampionatit turk, Istanbul Basaksehir, ku aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi.
Në Angli “bunker” mund të konsiderohet Tottenham Hotspurs, që gjithashtu ka pësuar katër gola. Nica në Francë ka të njëjtat shifra, ndërsa në Portugali kemi dyshen e njohur, Benfica dhe Porto. Renditja e ekipeve që pësojnë më pak vijon me Juventusin në Itali (5 gola) dhe Standard Liege në Belgjikë me po kaq.