Shtëpitë e basteve e kanë bërë trajnerin e Liverpoolit, Jurgen Klopp, një favorit të basteve për të qenë trajneri i radhës i Ligës Premier që largohet nga klubi i tij.
Klopp, i cili ka udhëhequr Reds drejt triumfit në Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier në dy sezonet e fundit ishte vlerësuar lart për punën e tij me klubin e madh anglez.
Sipas Betfair, trajneri gjerman kishte pasur një koeficient prej 10/1 për të qenë trajneri i radhës që do të largohej, por humbja 3-1 ndaj Leicester Cityt ka ndryshuar gjërat.
Tani largimi i Kloppit nga Anfield kuotohet me një koeficient dukshëm më të ulët dhe ato shanse tani janë ulur në mënyrë drastike në 4/7.
Nuk ka asnjë sugjerim që Liverpooli po planifikon të shkarkojë shefin e tyre, por rezultatet negative mund t’i qojnë drejtuesit drejt një vendimi.
Situata aktuale e Reds është njësoj me atë të Borussia Dortmund gjatë sezonit të fundit të Klopp në krye të klubit gjerman.
Pas një fillimi të dobët në sezonin 2014-15, Klopp njoftoi në prill se do të largohej nga gjigandët e Bundesligas në fund të sezonit. /Telegrafi/