Jurgen Klopp ka folur pas ndeshjes të Ligës së Kampionëve të cilën Liverpooli e humbi 1-0 nga Napoli.
Humbja në minutat e fundit ndaj Napolit ka lënë shije të hidhur te gjiganti anglez dhe trajneri Klopp ka fajësuar veten, por edhe futbollistët për një paraqitje jo të mirë.
“Fillimi i ndeshjes ishte në rregull, ishte sikur ne e donim atë, por pastaj lëvizjet tona mbrojtëse nuk ishin mjaft të mira, nuk i mbyllëm hapësirat në momentin e duhur”, ka thënë fillimisht Klopp pas ndeshjes.
“Ne nuk reaguam mirë në disa situata. Gjërat si kjo ndodhin në një lojë shumë shpesh, por jo aq shpesh sa ndodhi sonte, dhe kjo kushton energji, sepse i kemi mbyllur këto boshllëqe shumë vonë”.
“Nuk kishte aq shumë presion nga Napoli, ndihej sikur po shikonin se si luanim. Ne mund të kishim luajtur me të vërtetë më të qetë, të përgatisim situatat më mirë, por nuk e bëmë, prandaj nuk krijuam shumë shanse”.
#Napoli strike late to secure all three points. #NAPLIV #UCL pic.twitter.com/DvuO7u2pjd
— Liverpool FC (@LFC) October 3, 2018
“Pjesa e parë ishte në rregull, por pjesa e dytë nuk ishte mjaft e mirë. Është gjithmonë një shenjë e keqe nëse duhet të thuash se portieri yt ishte lojtari më i mirë, por kjo ishte e qartë sonte”.
“Pastaj në minutën e fundit, kemi bërë një tjetër gabim taktik dhe ky është problemi”.
“Ne nuk pranuam shumë gola këtë sezon, por kjo është e dyta e të njëjtit lloj, prandaj mendoj që duhet ta zgjidhim atë menjëherë”.
“Një pjesë e madhe e kësaj shfaqjeje, ishte për fajin tim, por më duhet të paktën një natë për të parë sërish ndeshjen për të ditur saktësisht se cili ishte faji”, përfundoi gjermani. /Telegrafi/