Alex Oxlade-Chamberlain kishte lënduar edhe më tepër ligamentet në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Romës.
Mesfushori 24-vjeçar iu nënshtrua operacionit tetë ditë më vonë, por duket se nuk ka shkuar gjithçka në rregull.
Kështu së paku ka pohuar trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i cili ka thënë se për pjesën e madhe të sezonit nuk do t’i ketë shërbimet e anglezit.
“Ne jemi duke e përgatitur për sezonin duke e ditur se nuk do të jetë me ne në fushë gjatë një pjese të madhe të kampionatit. Nëse do ta shohim këtë sezon do të jetë një bonus”, tha Klopp për ueb-faqen e klubit.
“Ox këtë sezon do të përqendrohet në shërimin dhe rehabilitimin. Këtë e kemi mësuar pas operacionit të suksesshëm”, shtoi gjermani.
Ish-lojtari i Arsenal shënoi pesë gola dhe siguroi tetë asistime për klubin nga “Anfield Road” përpara se të pësonte dëmtimin që e la jashtë Kupës së Botës.
Kujtojmë se mesfushori gjithashtu kishte humbur kampionatin botëror të vitit 2014 dhe kampionatin evropian të para dy vjetëve për shkak të lëndimit.
Ndryshe, Liverpool ka nënshkruar Naby Keitan dhe Fabinhon për të forcuar mesfushën e tyre përpara sezonit të ri, si dhe për Xherdan Shaqirin. The Reds do të hapin kampanjën e sezonit të ri të Ligës Premier më 12 gusht kundër West Ham Unitedit. /Telegrafi/