Trajneri i Liverpoolit e ka komentuar ndeshjen ndaj Atletico Madridit, të cilën skuadra e tij e humbi me rezultat 1-0 në Wanda Metropolitano duke thënë se gjithçka do të vendoset në sfidën e kthimit në Anfield.
“Nuk ndodhi ashtu si duhej të ndodhte. Ishte përballja që e prisnim dhe atmosfera që e prisnim, por më pëlqejnë shumë pjesë të lojës sonë. Është vetëm 1-0, ndërsa pjesën e dytë e luajmë në stadiumin tonë”, ka deklaruar Klopp për BT Sport.
I pyetur për mangësitë e skuadrës së tij, ai ka thënë: “Na mungonte pjesa e përfundimit të aksioneve. Ata mbroheshin më të gjitha forcat – mbrojtja e tyre në zonë ishte e mrekullueshme”.
“Kur jeni 1-0, me një skuadër si kjo (e Atleticos) që i pëlqen vetëm rezultatet e këtilla… madje edhe një barazim pa gola do të ishte i mirë për ta”, ka shtuar trajneri i Redsave.
Sa i përket zëvendësimit të Sadio Mane, Klopp ka thënë se sulmuesi që kishte një karton të verdhë ishte shënjestër e lojtarëve kundërshtarë për të marrë edhe një karton tjetër.
“Gjithçka është në rregull, ka përfunduar vetëm pjesa e parë 1-0, do ta kemi pauzën e gjatë dhe do ta shfrytëzojmë. Mirë se vini në Anfiled. Nuk ka përfunduar asgjë”, ka thënë trajneri i Liverpoolit. /Telegrafi/