Jurgen Klopp ka dalë në mbrojtje të Sadio Mane, duke thënë se sulmuesi nuk është një simulues dhe duhej akorduar penallti në favor të Liverpoolit në ndeshjen kundër Southamptonit.
Redsat pësuan humbje prej 1-0 falë një goli të hershëm nga Danny Ings dhe tashmë Manchester Unitedi ka pikë të barabarta dhe një ndeshje më pak të zhvilluar se kampioni.
Liverpooli kërkoi penallti në dy raste që u mohuan nga gjyqtari, ndërkohë që rrezikuan shumë pak në fazën ofensive.
Në njërin nga rastet, goditja e Georginio Wijnaldum përfundoi në dorën e një lojtari kundërshtar, derisa në tjetrin, Mane u rrëzua nga ndërhyrja e Kyle Walker-Peters. Trajneri thotë se senegalezi është i sinqertë dhe se duhej akorduar penallti.
“Situatat më të mira ishin kur Sadio e kishte topin. Kushdo që thotë edhe njëherë se Sadio Mane është simulues, është dështimi më i madh në botë. Ky djalosh përpiqet të qëndrojë në këmbë”.
“Ka pasur dy situata, në të cilat ekipeve tjera do t’u jepeshin penallti. Prekja e topit me dorë, nuk e di kush do të ma shpjegojë këtë’, ka deklaruar Klopp për Sky Sports. /Telegrafi/