Jurgen Klopp i ka paralajmëruar lojtarët e tij për përballjen ndaj Wolverhampton Wanderers që zhvillohet nesër (e diele).
Liverpooli do të përballet me skuadrën që mbrëmë e mposhti Manchester Cityn me rezultat 3-2, derisa Adama Traore kishte një paraqitje mbreslënëse.
Klopp ka thënë se ata duhet të kenë kujdes nga sulmuesi spanjoll, pasi është më i rrezikshëm se Jamie Vardy.
“Më në fund, Traore ka gjetur një njeri se si ta nxjerrë më të mirën nga ai”, ka thënë gjermani në një konferencë për media.
“Ai e filloi si një mbrojtës krahu, por tani mund të luajë përpara. Ai ishte fantastik qysh nga koha kur ishte te Barcelona, ai ndoshta është lojtari më i shpejtë në ligë”.
“Në këtë vit ata fituan ndaj Cityt. Në një nivel, mund të them se ndaj Jamie Vardyt është e vështirë të luash, mirëpo Traore është edhe më i vështirë shkaku i shpejtësisë”, ka shtuar më tej trajneri i Liverpoolit.
The Reds ende nuk kanë pësuar humbje në këtë sezon dhe kanë dërguar diferencën në pikë prej +13 ndaj Leicesterit. /Telegrafi/