Milani do të pres Liverpoolin në ndeshjen e fundit të Grupit B në Ligën e Kampionëve.
Rossonerët kanë nevojë shumë të madhe për fitore për ta kaluar grupin, teksa The Reds tanimë e kanë siguruar vendin e parë pas pesë fitoreve në po aq takime.
Trajneri i Liverpoolit, gjermani Jurgen Klopp ka gëzuar tifozët e Milanit, por edhe kundërshtarin pasi ka paralajmëruar se do të ketë rotacione në këtë sfidë.
Kjo do të thotë se Klopp do t’i pushojë disa nga lojtarët titullarë për t’i dhënë hapësira futbollistëve që kanë pasur më pak minuta këtë edicion.
““Po, është e qartë se ne duhet t’i lemë lojtarët të pushojnë, do të bëjmë disa ndryshime sepse duhet të krijojmë energji të freskët në fushë për të pasur një ndeshje të mirë”, tha Klopp.
“Salah? Nuk mund t’i ndryshoj të gjithë, do të na duhet të vendosim njëmbëdhjetë lojtarë në fushë. Do të shohim, duhet të kuptojmë gjithashtu situatën, duhet t’i bëjmë lojtarët të kthehen dhe të sigurohemi që skuadra më e mirë të jetë në fushë”, vazhdoi tutje gjermani në konferencë për shtyp.
Tutje tekniku gjerman foli edhe për futbollistët që nuk luajnë shumë, duke thënë se të gjithë janë të rëndësishëm për të.
“Nuk e di nëse është gjëja më e vështirë në punën time, por është një nga gjërat që një trajner duhet të bëjë. Të gjithë futbollistët duhet të ndihen të domosdoshëm për klubin dhe kjo është pjesë e punës sime. Ata duhet të stërviten mirë, pastaj më takon mua të vendos startuesit dhe zëvendësuesit”, tha Klopp.
Milan dhe Liverpool takohen të martën mbrëma me fillim nga ora 21:00 në San Siro. /Telegrafi/