Liverpooli po mendon ta shpërblejë Jurgen Kloppin me kontratë të re, pas suksesit që tregojë sezonin e kaluar në Ligën Kampionëve dhe Ligën Premier.
Trajneri gjerman u transferua te ‘The Reds’ katër vite më parë, derisa aktualisht ka edhe tri vite kontratë të mbetura në Anfield Road.
Pasi arriti dy herë radhazi në finalen e garës më të madhe për klube në Evropë, ndërsa e fitoi atë në këtë vit, skuadra angleze është e vendosur që t’i ofrojë Kloppit një kontratë të përmirësuar.
Sipas agjentit të tij, Marc Kosicke, gjermanit i është ofruar mundësia që ta rinovojë kontratën aktuale, pasi që Liverpooli dëshiron ta mbajë edhe për disa vite.
“Liverpooli është i gatshëm që t’i ofrojë një kontratë të re Jurgen (Kloppit). Suksesi i tij në sezonin e kaluar ka bërë që ai ta fitojë edhe më shumë besimin në klub. Klopp është i lumtur në Anfield dhe me gjasë do të vazhdojë edhe për disa vite”, ka thënë agjenti i strategut gjerman.
Klopp ka kontratë me ‘The Reds’ deri në vitin 2022, mirëpo një pagë më e lartë do t’i konvenonte edhe atij. /Telegrafi/