Site icon Telegrafi

Klitschko po i frikësohet heshtjes së Evropës: Para syve tuaj po ndodhë gjenocidi

Ish-kampioni i peshave të rënda në boks, Wladimir Klitschko, ka dënuar ashpër krimet që i ka kryer ushtria ruse në Ukrainë – duke porositur se para syve të Evropës po ndodhë gjenocidi.

Ai shpjegoi se rusët nuk po zgjedhin objektivat – duke theksuar edhe një herë se agresioni i tyre nuk guxon të kalojë pa u ndëshkuar, transmeton Telegrafi.

“Bucha, Gostomeli, Irpini janë qytete satelitë të Kievit. Jemi gjendur në situatë tejet të rënda me trupat e civilëve të vrarë që janë hedhur nëpër rrugë. Gra dhe fëmijë të vrarë… Kemi parë vetura të bëra vrima nga plumbat. U përkisnin banorëve që tentuan të largohen nga qyteti apo vullnetarëve që ndihmonin me transportimin e civilëve deri te qyteti tjetër më i afërt. Nuk kam fjalë tjera. Akoma gjithçka nuk është zbuluar. Mendoj se ka edhe krime tjera që do t’i dokumentojmë. Fati i rezervuar për qytetet Kharkiv, Chernihiv, Mariupol, Kherson është i papranueshëm. Është vështirë të përshkruhet ky tmerr. Ajo çfarë kam parë në periferi të Kievit është e papërshkrueshme”, shtoi Klitschko.

“Për fat të mirë, mediat ndërkombëtare janë në vendin e ngjarjes dhe mund ta dëshmojnë këtë. Është një krim monstruoz. Nuk duhet lejuar që kjo të kalojë pa u ndëshkuar. Nëse jeni në pozicionin e vëzhguesit derisa para syve tuaj ndodhë gjenocidi, atëherë keni edhe ju një pjesë të përgjegjësisë. Mos heshtni, na ndihmoni të rikthejmë paqen në Ukrainë. Raketat dhe plumbat rusë po vrasin civilët ukrainas. Putin ka kryer krime lufte dhe gjenocid”, tha ndër tjera ish-boksieri i cili pranoi se po i frikësohet heshtjes së Evropës. /Telegrafi/

Exit mobile version