Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, konsideron se Rusia nuk do të kënaqet vetëm me okupimin e Donbasit.
Në një bisedë të shkurtër për Sky News, Klitschko tha se Rusia nuk do të kënaqet vetëm me Donbasin në këmbim të paqes, pasi që “Putini po e dëshiron tërë Ukrainën”, transmeton Telegrafi.
Forcat ruse javën e kaluar morën nën kontroll Luhanskun, një prej dy rajoneve të Donbasit në lindje të Ukrainë që është bërë “vatër” e luftimeve më të ashpra në këtë vend.
Në pyetjen e gazetares nëse do të ketë presion nga partnerët ndërkombëtarë që të arrihet ndonjë marrëveshje me Rusinë, përkatësisht që Moskës t’i dorëzohet Donbasit në këmbim të paqes në Ukrainë, Klitschko është përgjigjur: “Nganjëherë bëhem nervoz kur dëgjojë mesazhet e partnerëve tanë. Me po të njëjtin mesazh i bëhet e qartë Federatës Ruse se gjithçka është në rregull dhe se jemi të gatshëm të gjejmë kompromis. Çfarë kompromisi? Të heqësh dorë nga territori ynë është kompromis? Për ne ukrainasit nuk është”.
Ndërkaq kur u pyet nëse kjo do të cilësohej si tradhti, përgjigja e tij ishte e shkurtër dhe shumë e qartë: “Po do të ndjeheshim të tradhtuar”.
Klitschko ka theksuar se dorëzimi i territorit nuk është opsion, pasi Moska nuk do të kënaqet me kaq.
“Ata duan tërë Ukrainën”, shtoi ish-kampioni i peshave të rënda në boks.
Kryetari i Kievit ka vlerësuar se përparësia e forcave ukrainase në raport me ato ruse – është se ata janë të motivuar.
“Ata po luftojnë për para, e ne për fëmijët tanë”, tha për Sky News.
“Në sport vlejnë disa rregulla, e madje edhe në luftë, por Rusia nuk po luan sipas rregullave”, shtoi Klitschko.
Sikurse edhe zyrtarët e tjerë ukrainas edhe Klitschko i ka bërë thirrje perëndimit që Ukrainës t’i dërgojë më shumë armë dhe municion. /Telegrafi/