Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kohëve të fundit ka rritje të numrit të personave të diagnostikuar me COVID-19 dhe të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore.
Berisha tha se aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 53 persona me COVID-19, prej tyre 39 janë në gjendje stabile, 12 me oksigjeno-terapi dhe tri raste janë në mjekimin intensiv të Klinikës.
Drejtoresha e Klinikës Infektive po ashtu njoftoi se sot do të lirohen edhe tre persona të cilët tashmë janë shëruar.
Berisha ka folur edhe për viktimën e nëntë nga COVID-19. Sipas saj, 69 vjeçari nga komuna e Suharekës, përveç infeksionit me COVID-19 ka pasur edhe probleme kardiologjike dhe përkundër masave që janë ndërmarr, rasti ka pasur përfundim fatal.
Duke folur rreth viktimave nga COVID-19, por që kanë edhe sëmundje tjera ajo tha “Në përvojat tona është se çdo person që ka sëmundje shoqëruese normale që edhe një infeksion me COVID-19 mund ta përkeqësoj gjendjen e përgjithshme të atyre pacientëve…derisa ata pacientë pranohen nga COVID-19 dhe trajtohen në Klinikën Infektive, normal që krahas COVID-19 shënohen edhe diagnozat tjera shoqëruese të pacientëve të cilët janë duke u trajtuar e për fat të keq mund të kenë edhe përfundim fatal”.
Doktoresha bëri të ditur se janë edhe 14 raste në Klinikë që janë në pritje të analizave, por sipas saj ky numër mund të ndryshojë pasi gjatë gjithë kohës ka vizita mjekësore dhe në rastet kur ka indikacione pranohen deri në marrjen e rezultateve.
Berisha ka folur edhe për stafin mjekësor, duke njoftuar se deri tani janë pesë infermiere të infektuara. Dy prej tyre janë shëruar, për një janë në pritje të mostrës së dytë dhe dy tjera janë në gjendje stabile.
Se a ka persona nga nacionalitetet tjera në Kosovë që po trajtohen në Klinikë, ajo tha se në Klinikë pranojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për trajtim, pa marrë parasysh nacionalitetin. /Telegrafi/