Telegrafi

Klinika Digjitale ndihmon Ukrainën

Të shqetësuar nga pamjet prekëse, përjetimet tragjike të popullit ukrainas dhe vështirësive për qasje në shërbimet shëndetësore, ekspertët e shëndetit digjital nga Klinika Digjitale në Kosovë kanë themeluar Digital Clinic for Ukraine.

Bashkëpunimi me Ivan Horbachevsky Ternopil National Medical University në Ukrainë ka mundësuar që kësaj platforme t’i bashkohen më se 40 mjekë specialistë nga Ukraina për të ofruar video-konsultime falas për refugjatët ukrainas në çdo vend dhe nga çdo pajisje.

Është e dhimbshme kur shohim miliona njerëz të prekur nga lufta, duke ikur nga shtëpitë e tyre me një pasiguri për të ardhmen, kjo na përkujton luftën tonë në Kosovë dhe shpresën se pas sakrificës dhe humbjeve vjen liria dhe fitorja. Lufta është një provë për çdo qenie njerëzore, sepse kombet dhe njerëzit zgjedhin anën. Të jesh në anën e duhur të luftës do të thotë të mbështesësh njerëzimin, qytetërimin dhe të qëndrosh besnik ndaj të mirës.

“Digital Clinic for Ukraine” synon që të ndihmojë sa më shumë refugjatë në këtë kohë të vështirë për popullin ukrainas. Këtë kauzë përveç Klinikës Digjitale dhe Ternopil National Medical University janë duke e përkrahur Health Center of Excellence USA LLC dhe Rotary Club Peja.

Për të mësuar më shumë për këtë platformë të re vizitoni linkun: https://digital-clinic.net