Diego Carlos është njëri nga mbrojtësit më të pëlqyer momentalisht nga skuadrat e mëdha.
Pas një fillimi të karrierës në klube pak të njohura, Diego Carlos iu bashkua Sevillës vitin e kaluar nga skuadra franceze Nantes për 15 milionë euro.
Braziliani nënshkroi kontratë deri në vitin 2024, teksa ka një klauzolë largimi prej 75 milionë euro.
Transferimi në Sevilla i ka bërë mirë lojtarit, pasi ai ka qenë njëri nga mbrojtësit me formën më të mirë në La Liga.
Real Madrid, Barcelona, Liverpool dhe Paris Saint Germain kanë shprehur interesim për transferimin e brazilianit.
Megjithatë më afër tij duket gjiganti madrilen Real Madrid, pasi tanimë ka gati një ofertë për lojtarin.
Los Blancos janë gati t’i ofrojnë dy lojtarë Sevillës si dhe një pjesë të parave në këmbim të mbrojtësit Diego Carlos.
Marca ka raportuar se madrilenët janë të gatshëm ta sakrifikojnë sulmuesin Mariano Diaz si dhe mesfushorin Brahim Diaz për të arritur te Carlos.
Përveç dy lojtarëve që vlerësohen nga 25 milionë euro, 13 herë kampionët e Evropës do t’i ofrojnë edhe 25 milionë euro para për Diego Carlos.
Kjo ofertë duket e mirë për Sevillën që ka shprehur interesim për dyshen e Realit, ndërsa marrëveshja mund të arrihet së shpejti. /Telegrafi/