Erling Haaland nuk ka një klauzolë prej 75 milionë eurosh në kontratën e tij me Borussia Dortmundin – bëjnë të ditur Goal dhe Spox.
Është raportuar se sulmuesi do të mund të largohej nga BVB në verë në rast se ndonjëri nga klubet e interesuara e aktivizonte klauzolën e tij, me Manchester Cityn dhe Real Madridin, por edhe Barcelonën, që besohet të jenë favoritë për shërbimet e tij.
Megjithatë, mësohet se ekziston një “marrëveshje xhentëlmenësh” ndërmjet Dortmundit dhe përfaqësuesve të Haalandit, me më shumë detaje në strukturën eventuale të transferimit dhe kërkesat për pagë të lojtarit – që tashmë janë bërë të ditura.
Dortmundi synon të respektojë marrëveshjen
Goal dhe Spox mësojnë se Dortmundi e vlerëson etikën e vet në situata të tilla dhe synon të respektojë marrëveshjen nëse përmbushet tarifa e kërkuar. Megjithatë, si kompani e listuar në bursë, klubi ka detyrim edhe ndaj aksionarëve të vet.
Nëse arrijnë disa oferta për Haaland, atëherë klubi do të duhet të marrë në konsideratë ofertën më të lartë dhe të refuzojë çdo ofertë dukshëm më të ulët se ajo që e konsideron të drejtë.
Sipas mediave të lartpërmendura, shefi ekzekutiv Hans-Joachim Watzke dëshiron të respektojë fjalën e klubit dhënë futbollistit, por e di se ai gjithashtu ka një detyrim të sigurojë që oferta të mos dëmtojë interesat e investitorëve të klubit.
Haaland do ta ketë fjalën e fundit për destinacionin e tij, por edhe Dortmundi duhet të sigurojë që oferta e zgjedhur të jetë më e mira e mundshme.
Si një klub i listuar, BVB do të duhet gjithashtu të njoftojë kur marrëveshja e Haaland është afër, pasi kjo do të ndikojë në çmimin e aksionit, në përputhje me rregulloret financiare gjermane.
Dortmundi kërkon përfitimin nga shitja e sulmuesit
Struktura e marrëveshjes gjithashtu ka të ngjarë të jetë komplekse, me klubin që dëshiron të fitojë sa më shumë para nga transferimi.
Në rast të shitjes, Dortmundi pritet të bëjë pagesa solidariteti për ish-klubet e Haaland, Molde dhe Salzburg. Sidoqoftë, skuadra e Bundesligas dëshiron që klubi blerës t’i bëjë ato pagesa.
Ata gjithashtu shpresojnë të përfshijnë një klauzolë shitjeje të mëtutjeshme nëse Haaland do të kalojë në ndonjë klub tjetër në të ardhmen, e cila pritet të ndodhë duke qenë se është vetëm 21 vjeçar.
Nëse Dortmundi pranon të marrë ndonjë tarifë transferimi me këste në vend të një shume parash, kjo gjithashtu ka të ngjarë të ndihmojë në lehtësimin e lëvizjes.
Një faktor tjetër është agjenti Mino Raiola, megjithëse Goal dhe Spox mësojnë se çdo tarifë për agjentin do të jetë dukshëm më e ulët se shuma prej 100 milionë eurosh e spekuluar më parë në media.
Kërkesat për pagën e Haaland
Më herët është thënë se norvegjezi ka kërkuar 35 milionë euro neto për sezon, mirëpo tash thuhet se kërkesa është ulur në rreth 25 milionë euro neto (që është rreth 50 milionë euro bruto).
Në këtë rast, nëse Haaland do të nënshkruante kontratë pesëvjeçare, atëherë klubit që do ta transferonte do t’i kushtojë rreth 250 milionë euro vetëm për paga duke përjashtuar çmimin e transferimit. /Telegrafi/