Megjithëse ishin mjeshtër të futbollit, yjet e dikurshëm të Barcelonës, Ronaldinho dhe Deco, kishin disa shprehi të këqija.
Ish-zëvendëspresidenti i klubit, Alfons Godall, i cili ka shërbyer në atë pozitë gjatë viteve 2003-2010 (nën Joan Laportan) një intervistë shokuese për radion La Sotana ka treguar disa detaje të pabesueshme për mesfushorët ofensivë të klubit katalunas.
Nuk është fshehtësi që Ronaldonho ka qenë një admirues i ndejave, mirëpo Godall ka rrëfyer se braziliani kishte klanin e vet te Barca, i cili përbëhej edhe nga Deco, Thiago Motta dhe Maxi Lopez.
Sipas tij, këta futbollistë ishin kampionë të pijes dhe shpesh organizonin ndeja ku deheshin, ftonin edhe shumë femra në ndejat e tyre, ndërsa kishin një shprehi të keqe që i keqtrajtonin lojtarët e rinj.
Ai që pësonte më së shumti nga katërshja e përmendur ishte Bojan Krkic, i cili asokohe ishte një prej talentëve te Blaugranët. Futbollisti me origjinë serbe ishte vazhdimisht shënjestër e shakave dhe keqtrajtimeve nga Ronaldinho, Deco, Motta e Lopez.
“Ata kishin vërtet shprehi të çuditshme. U pëlqente që të deheshin dhe të merrnin pjesë në orgji. Veç kësaj, i keqtrajtonin lojtarët e rinj, në veçanti Bojan Krkicin”, ka thënë Alfons Godall.
Ky klan “u shpartallua” kur drejtimin e skuadrës e mori Pep Guardiola në vitin 2008, ndërsa më mirë nuk kaloi as Krkic, i cili ka ndërruar disa klube deri më tani. /Telegrafi/