Site icon Telegrafi

“Kjo është shtëpia jonë”: Rrëfimet e amerikanëve që refuzojnë të largohen nga Ukraina

Qeveria amerikane u ka kërkuar qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Ukraina teksa kanë pohuar se shumë shpejt situata mund të dal jashtë kontrollit. Por, jo të gjithë qytetarët amerikanë që jetojnë në shtetin ukrainas po ia “varrin veshin” këshillave që vijnë nga vendlindja e tyre.

Perëndimi ka hedhur poshtë pretendimet ruse për një tërheqje të pjesshme të trupave dhe zyrtarët amerikanë vazhdojnë të besojnë se Moska mund të sulmojë në çdo kohë.

Por disa amerikanë nuk besojnë në një sulm në shkallë të gjerë ndaj Kievit, pavarësisht paralajmërimeve nga burime të inteligjencës të cituara në media, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Biden për situatën në Ukrainë: Gjërat mund të dalin jashtë kontrollit, amerikanët tani duhet të largohen nga Ukraina

Çështja nëse duhet të largoheni nga Ukraina është aktualisht një nga më të diskutuarat në grupet e mediave sociale të emigrantëve, ku përfshihen edhe njerëzit që erdhën në Ukrainë për një vizitë të shkurtër dhe ata që kanë jetuar këtu për një kohë të gjatë.

BBC News Ukraine ka folur me disa amerikanë në Ukrainë – biznesmenë, mësues, vullnetarë – të cilët kanë treguar arsyet se pse kanë vendosur të qëndrojnë në shtetin ukrainas.

Sean Almeida ka lindur në Boston, Massachusetts, por ai ka ndërtuar një biznes në Kiev që nga viti 2014.

Ai është drejtor i një kompanie të pasurive të paluajtshme dhe tani, pavarësisht kërcënimit, nuk e ka ndërmend të largohet nga Ukraina.

“Unë nuk u largova gjatë revolucionit Maidan [protestat në 2013 dhe 2014 që çuan në përmbysjen e presidentit të Ukrainës Viktor Janukovych], ose kur Rusia aneksoi Krimenë, ose gjatë fillimit të armiqësive në Donbas”, tha ai për BBC.

“Lëreni Biden të thotë çfarë të dojë, por mua nuk do të më kaplojë paniku dhe nuk do të largohem nga vendi që prej kohësh është bërë shtëpia ime”, shtoi Almeida.

Sean nuk beson se pushtimi rus është aq i pashmangshëm sa thonë mediat perëndimore dhe diplomatët. Amerikani jo vetëm që bën biznes në Ukrainë, por ka krijuar edhe një familje.

“Unë kam një familje këtu dhe vajza ime lindi më shumë se një vit më parë”, tha ai.

Përpara 16 shkurtit, ditën kur zyrtarët amerikanë thanë se Rusia mund të fillonte sulmin e saj, biznesmeni dërgoi familjen në perëndim të Ukrainës.

Disa vende kanë zhvendosur ambasadat e tyre në Lviv, pasi është më larg kufirit me Rusinë.

Sean largoi gruan, vjehrrën dhe dy vajzat e tij, por ai ishte i vendosur të mos largohej nga Kievi.

Askush nga ambasada amerikane nuk e ka kontaktuar për evakuimin, shtoi ai.

Ish-ushtari amerikan, David Plaster ka qenë në Ukrainë për gati 10 vjet, duke bërë punë vullnetare në mënyrë aktive brenda komunitetit lokal.

Ai merr pjesë në xhirimet e një shfaqjeje në YouTube të quajtur Stop the Moose, një nismë publike për të ndryshuar sjelljen e shoferëve të vrazhdë.

Ai është gjithashtu i përfshirë në projekte komunitare për të përmirësuar atë që ai tani e përshkruan si lagjen e tij të lindjes – periferinë Borshchahivka të Kievit, transmeton Telegrafi.

Duke trajnuar ushtarët ukrainas në mjekësinë taktike, si dhe duke u mësuar atyre anglisht, David mori pjesë në protestat e Maidan dhe ka qenë në vijën e parë të frontit në Ukrainën lindore.

Kur e pyetën pse nuk i frikësohet një sulmi të mundshëm rus dhe duhet të largohet nga Kievi, ai thjesht përgjigjet “Sepse kjo është shtëpia ime”.

Duke reflektuar për atë që i pëlqen më shumë në Ukrainë, ai menjëherë deklaron “borsch and pampushki (gjevrek prej hudhre)!”

Më pas, më seriozisht, shton se e do vendin për shkak të miqve që ka bërë dhe njerëzve që ka takuar këtu.

James Martin lindi në një qytet të vogël në Iowa, u diplomua në Universitetin e Michiganit dhe më vonë studioi në Institutin e Çelikut dhe lidhjeve në Moskë.

Kur James u transferua në Kiev, ai filloi të punonte si mësues i anglishtes duke aktruar në të njëjtën kohë.

Lajmet për një pushtim të mundshëm rus nuk i kanë ndryshuar planet e tij dhe ai vendosi të injorojë thirrjen e Shtëpisë së Bardhë për evakuim.

“Unë nuk po largohem nga Ukraina, por kjo nuk do të thotë se nuk e respektoj Bidenin apo qeverinë”, tha ai për BBC News Ukrainia.

James ka një familje të madhe në Iowa, por në fillim të këtij muaji ai u martua në Ukrainë dhe gruaja e tij, Ira tani është gjithashtu pjesë e familjes.

“Unë mendoj se nëse njerëzit janë ende këtu tani, ata njerëz nuk do të largohen”, tha James. “Ka pasur shumë paralajmërime”, shtoi ai.

Niklas Theeke, nga Detroit, Michigan, ka qenë në Ukrainë për vetëm 18 muaj. Në nëntor 2020, ai u transferua në Dnipro, një qytet i madh industrial në Ukrainën qendrore, ku dha mësim anglisht.

Majin e kaluar, ai u transferua në Kiev, gjithashtu për të dhënë mësim anglisht. Tani ai nuk ka plane të largohet nga Ukraina dhe të kthehet në SHBA.

Niklas tha se “Ne jemi të gatshëm të luftojmë nëse është e nevojshme. Jemi të përgatitur dhe kjo është shtëpia ime. Së bashku jemi të bashkuar dhe të fortë. Zgjedhja ime për të qëndruar këtu ishte shumë e lehtë! Është shtëpia, miqtë dhe familja”.

Kur u pyet për besimin j në ushtrinë ukrainase, ai tha se “Ata janë më të aftë tani se në vitin 2014. Ata janë më të fortë dhe të bashkuar, por mendoj se do të derdhet shumë gjak dhe do të jetë shumë keq”.

“Ne duam vetëm paqe,” tha Niklas, duke shtuar “Lavdi Ukrainës!”.

Alicia Day jeton në Dnipro. Ajo ka frikë nga një pushtim, por nuk do të largohet, për arsye personale. “Unë po qëndroj në Ukrainë për shumë arsye”, tha ajo.

“Një, Vladimirin thanë se nuk do të pushtojnë, kështu që unë nuk dua të iki për asgjë. Dy, nuk jam vaksinuar. Tre, burri im është në spital. Katër, shpresoj që nëse vijnë, ne do të mbijetojmë”, pohoi ajo.

Alicia është një aktiviste për të drejtat e kafshëve dhe një vegane.

Ajo thotë se nuk mund të lërë kafshët e saj shtëpiake: një derr dhe një viç. Kur i bleu, po i ruante nga therja.

Alicia i mban kafshët në një apartament me qira dhe i shëtit në oborr.

Vjeshtën e kaluar, banorë të tjerë të bllokut të saj të apartamenteve, të pakënaqur që kishte kafshë për fqinjët, thirrën policinë dhe kafshët u dërguan në një strehë.

Tani Alicia i viziton dhe kujdeset për ta atje. /Telegrafi/

Exit mobile version