Gazetari i njohur i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka publikuar notën verbale që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka dërguar në Strasburg.
Në dokumentin e dorëzuar nga ministrja Donika Gërvalla, theksohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për të autorizuar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që të transferojë 24 hektarë tokë në posedim të Manastirit të Deçanit, në përputhje me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
E dokumentuar në këtë notë, të dorëzuar më datën 12 mars, zyrtarizohet se Agjencia Kadastrale e Kosovës ka vepruar në përputhje me urdhrin e gjykatës për regjistrimin e pronësisë në emër të manastirit.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar publikisht për vendimin e Qeverisë që të orientojë Agjencinë Kadastrale të Kosovës për të regjistruar 24 hektarët e tokës si pronë të Manastirit të Deçanit.
Ministrja Gërvalla-Schwarz ka informuar Këshillin e Evropës për këtë hapat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës, përmes një note tjetër verbale.
Në komunikimin e saj me Këshillin e Evropës, Gërvalla ka përfshirë edhe një kopje të certifikatës së re të pronësisë, duke vërtetuar regjistrimin e pronës në emër të manastirit.
Ajo gjithashtu shprehu optimizmin se ky veprim nga ana e Kosovës do të ndihmojë në sjelljen e një përfundimi pozitiv në lidhje me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës në mbledhjen e ardhshme të majit.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se vendimi i ekzekutivit kosovar “demonstron përkushtimin e Kosovës për të respektuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit”.
Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit është mirëpritur edhe nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.
Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, diplomati gjerman tha se pavarësisht se zbatimi i këtij vendimi është i vonuar, ai paraqet “një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundim të ligjit”.
Ndërkaq, kreu i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport, tha se zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit “do të ruajë respektin për sundimin e ligjit”./Telegrafi/
Better late than never: The government of Kosovo has informed the Council of Europe that property belonging to the monastery of Decani has been registered as such. Local politicians in the area will thus no longer be able to stand in the path of justice. Good. pic.twitter.com/NilBxQhmsE
— Michael Martens (@Andric1961) March 13, 2024