Neymar pretendon se bashkëlojtari i tij te Kombëtarja e Brazilit, Vinicius Junior, duhet të kishte përfunduar në tre vendet e para në çmimet e Topit të Artë 2022.
Vinicius Jr përfundoi i teti në renditjen e Topit të Artë pas një sezoni ku ai luajti një rol kyç në triumfet e Real Madridit në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.
Neymar përgëzoi fituesin e Topit të Artë, Karim Benzema, për marrjen e çmimit kryesor, por beson se Vinicius Jr meritonte një përfundim në podium.
“Benzema, e meritoi plotësisht!!. Por, Vini jr në vendin e 8-të nuk është e mundur, është një shaka. Ai është minimumi në top 3”, ka shkruar Neymar në Twitter.
Benzema merecido 👏🏽👏🏽 craque!!
Agora o Vini jr estar em 8 não dá
😂😂😂😂
Mínimo entre os 3— Neymar Jr (@neymarjr) October 18, 2022
Ndryshe, Benzema përfundoi në krye të garës pas një sezoni të jashtëzakonshëm ku shënoi 44 herë në 46 ndeshje.
Sadio Mane doli në vendin e dytë pas një tjetër sezoni mbresëlënës me Liverpoolin, përpara kalimit të tij te Bayern Munich, ndërsa mesfushori i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne ishte i treti.
Në anën tjetër, braziliani i Los Blancos në sezonin e fundit pati 22 gola dhe 20 asistime në 52 ndeshje në të gjitha garat.
Që nga fillimi i sezonit 2021-22, vetëm Vinicius Jr(5) ka fituar më shumë penallti në mesin e lojtarëve të La Ligës sesa bashkëlojtari i tij, Rodrygo (4) në të gjitha garat. /Telegrafi/