Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë të enjten në rrjetet sociale një video promovuese për Kosovën.
Videoja në fjalë pasqyron potencialin e vendit tonë drejtë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik me produktet vendore.
Si rrjedhojë, videos nuk mund t’i mungojnë edhe emrat e njohur shqiptarë nga kultura dhe sporti, të cilët kanë arritur majat në arenën ndërkombëtare.
Të tillë janë artistët Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e Era Istrefi që gjithashtu janë pjesë e insertit.
Rita Ora pak javë më parë publikoi albumin e dytë në karrierën e saj “Phoenix”, vitin 2018 e nisi me një koncert gjigant në Kosovë, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë.
Ndërkohë, Dua Lipa pati gjithashtu shumë suksese këtë vit, duke potencuar aktin se u shpërblye me mbi tetë çmime në evente botërore, gjersa ishte prezente edhe në Kosovë, më 10 gusht duke performuar në kuadër të festivalit “Sunny Hill”.
Vit jashtëzakonisht i suksesshëm ky ishte edhe për Era Istrefin, e cila i ka bërë krenarë shqiptarët këtë vit duke performuar në finalen e Kampionatit Botëror, të mbajtur më 15 korrik, si interpretuesja e këngës përcjellëse “Live it up”, së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam.
Edhe tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka numëruar suksese të shumta këtë vit. Ai dha premierën e tij në skenën e Operës Kombëtare të Parisit, gjersa ditë më parë perfomroi në koncertin recital me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut – koncert i mbajtur në Teatrin “Argentina”, në Romë.
Pjesë e videos promovuese janë gjithashtu edhe emra tjerë të njohur si: Xherdan Shaqiri, Akil Gjakova, Majlinda Kelmendi e shumë të tjerë.
Kjo dëshmon edhen njëherë se Kosova është burim talentesh, dhe se emrat që përfaqësojnë denjësisht identitetin e saj jashtë vendit, janë promovimi më i mirë që mund t’i bëhet vendit tonë. /Telegrafi/