Telegrafi

Kishte therur me thikë një person para disa dite, arrestohet 31 vjeçari nga Ferizaj

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt ka arrestuar një person për vrasje në tentativë.

Policia ka njoftuar se më datën 04.06.2022 rreth orës 12:40 në rrugën “Kemajl Hetemi” në Ferizaj, kishte ndodhur një rast i lëndimit të rëndë trupor, ku personi me inicialet Sh.S (M/K) i moshës 35 vjeçar kishte pësuar lëndime të rënda trupore pas therjes me thikë nga një person i cili kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Rasti fillimisht ishte cilësuar “Lëndim i rëndë trupor”.

“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, nën autorizim edhe të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kishte nisur hetimet intensive dhe pas një pune hetimore, mbledhjes së informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, dje me datën 08.06.2022 rreth orës 21:00 ka arrestuar të dyshuarin e kësaj ngjarje me inicialet Y.R ( M/K) i moshës 31 vjeçar dhe si provë materiale është sekuestruar edhe thika me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të Prokurorit të rastit, i dyshuari ndalet për 48 orë, ndërsa rasti është ri-cilësuar “Vrasja e mbetur në tentativë”. /Telegrafi/