Mbledhja e djeshme e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ishte shkaktar i një përplasje verbale fillimisht në mes deputetëve të LDK-së, Arben Gashi e Kujtim Shala me deputetët e LVV-së, Gazmend Gjyshinca e Fitore Pacolli.
Pas përfundimit të kësaj mbledhje, deputetët e LVV-së përmes një konference për media deklaruan se janë sulmuar fiziksht në hollin e Kuvendit nga ana e deputetëve të LDK-së.
Në një video nga kamerat e sigurisë në Kuvend, shihet i gjithë rasti sesi ka ndodhur konfrontimi për të cilën pretenduan deputetët e LVV-së.
Kujtojmë se Gjyshinca dje tha se me të përfunduar mbledhja, në korridor është sulmuar nga deputetët e LDK-së, Kujtim Shala e Arben Gashi.
“Fillimisht kanë nisur sulmet verbale si nga kryetarja e komisionit edhe pastaj nga deputetët e LDK-së. Me të përfunduar mbledhja e komisionit, mbeta pak më vonë për të dalë nga salla ku u mbajte mbledhja, në momentin kur kam dalë në korridor jam sulmuar nga deputet Kujtim Shala e Arben Gashi”, tha Gjyshinca, duke thënë se ka marrë lëndime fizike si pasojë e goditjeve.
E një gjë të tillë, e mohuan disa orë më vonë, deputetët Kujtim Shala e Arben Gashi.
“Ne kemi dalë jashtë mbledhjes së komisionit dhe në diskutime në korridor deputeti Gjyshnica dhe deputetja Pacolli shfaqën një gjuhë agresive dhe ne u larguam, kjo mund të dëshmohet edhe me videon të cilën e ka bërë vet deputeti Gjyshnica, që është mirë me publiku. Po ashtu edhe videot e Kuvendit të Kosovës. LVV po dëmton qëllimshëm reputacionin e Kuvendit dhe reputacionin e deputetëve të LDK-së”, deklaroi dje Gashi.
Policia tashmë ka intervistuar të dyja palët, dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/