Uashingtoni ka reaguar pas shkarkimit të shefit të ushtrisë ukrainase, Valery Zaluzhnyt dhe emërimit të Oleksandr Syrskyt.
“Presidenti Zelensky është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
“Ai vendos se kush do të jetë lider i ushtrisë së tij. Kjo është ajo që ka të bëjë me kontrollin civil. Ne e dimë këtë dhe do të punojmë me këdo që ai e ka në krye të ushtrisë së tij”, pohoi ai.
Zyrtari amerikan ka hedhur poshtë lajmet se në këtë shkarkim dhe emërim kishte gisht SHBA-ja, raporton skynews.
“Ne flasim me homologët tanë ukrainas gjatë gjithë kohës, por nuk është e vërtetë se ne kishim gisht në këtë. Ky është vendimi i presidentit Zelenskyt. Nuk kishte asnjë kërkesë nga qeveria ukrainase që na udhëheqim këtë proces”, pohoi Kirby.
Ndryshe, Zaluzhny pritet të mbetet pjesë e sigurisë së shtetit ukrainas, por në një pozicion tjetër, ka pohuar Zelensky. /Telegrafi/