Telegrafi

Kishin vjedhur 40 mijë euro, stoli në vlerë 25 mijë euro e dy pistoleta, Policia në Ferizaj arreston një të dyshuar

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhje të rëndë në Ferizaj.

Në njoftimin e Policisë thuhet se më 18.03.2023 rreth orës 04:00 në një shtëpi banimi në fshatin Greme të Ferizajt, persona të panjohur kishin depërtuar me forcë dhe nga aty dyshohet se kishin vjedhur para në vlerë prej 40 mijë euro, stoli ari në vlerë prej 25 mijë euro, dy armë zjarri (pistoleta) me leje dhe sasi të municionit.

Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishte marr të gjitha veprimet e nevojshme dhe kishte nisur hetimet.

“Hetuesit rajonal pas një punëve intensive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe më datë 27.03.2023 rreth orës 19:30 kanë arrestuar të dyshuarin S.I (M/K) i moshës 49 vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë”, thuhet në njoftim.

I dyshuari S.I është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij, në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për  procedura të mëtejme hetimore. /Telegrafi/