Një shofer i kamionit është burgosur pasi policia britanike i konfiskoi mbi 81 mijë euro para të gatshme të maskuara si sanduiçe.
Paratë e mbështjella në një letër alumini, u zbuluan në kabinën e mjetit të shoferit në Harwich të Essex-it.
Policia po kryente kontrolle rutinë kur vunë re kamionin duke ecur në drejtim të gabuar, ndoshta në një përpjekje për të shmangur zbulimin, raporton Sky News, transmeton Telegrafi.
Marius Raczynski, shoferi 28 vjeçar, u arrestua me dyshimin për pastrim parash pasi policia gjeti një çantë në kabinën e tij e cila përmbante pakon e parave.
Oficerët e policisë punuan me specialistë të pastrimit të parave dhe krimeve të rënda për të siguruar një akuzë për të.
Raczynski është burgosur për 20 javë për fshehje të pasurisë kriminale pasi u deklarua fajtor në Gjykatën e Chelmsford Crown. /Telegrafi/