I pyetur për raportimet e mediave se Rusia po i kërkonte Kinës ndihmë ushtarake, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington thotë se Pekini është i fokusuar që lufta të mos “dal jashtë kontrollit” në Ukrainë.
Reuters citoi zëdhënësin e ambasadës, Liu Pengyu të thoshte se “situata në Ukrainë është me të vërtetë shqetësuese”.
“Prioriteti i lartë tani është parandalimi i përshkallëzimit të situatës së tensionuar apo edhe dalja jashtë kontrollit”, tha ai.
Më herët të dielën, Financial Times dhe një numër i mediave të tjera raportuan se zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia i ka kërkuar Kinës ndihma ushtarake dhe ekonomike për luftë në shtetin ukrainas, raporton bbc.
Kur u pyet për raportimet, zëdhënësi tha se ai “asnjëherë nuk kishte dëgjuar për këtë”.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Kina do të përballet me pasoja nëse ndërmerr hapa për të ndihmuar rusët të shmangë sanksionet.
Kina deri më tani ka qëndruar publikisht neutrale në konflikt dhe ka refuzuar të dënojë agresionin rus në Ukrainë. /Telegrafi/