Telegrafi

Kim Kardashian dhe Kanye West do të bëhen prindër për herë të katërt, nga një nënë surrogate

Kanye West dhe Kim Kardashian West (Foto: Roy Rochlin/Getty Images/Guliver)

Një tjetër fëmijë në familjen e Kim Kardashian dhe Kanye West!

Çifti shumë i përfolur po presin fëmijën e tyre të katërt nga një nënë zëvendësuese, dhe këtë e kanë konfirmuar burimet e revistës People.

Fëmija do t’i bashkohet vëllait, Saint tre vjeçar, dhe motrave: North pesë vjeçe dhe Chikago, një vjeçe.

Kim Kardashian dhe Kanye West (Foto: Rich Fury/Forum Photos via Getty Images/Guliver)

Megjithëse Kim kishte thënë gjatë muajit gusht se ajo dhe Kanye nuk nxitojnë për një tjetër fëmijë, duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi fëmija i katërt është tashmë në pritje.

Një tjetër burim i brendshëm i revistës People, ka thënë se ky fëmijë ishte planifikuar menjëherë pas ardhjes në jetë të fëmijës së tretë, vajzës Chikago.

Kim Kardashian dhe Kanye West (Foto: Jenny Anderson/Getty Images for The Cher Show/Guliver)

“Kim dhe Kanye po flisnin për fëmijën e tyre të katërt që kur Chikago ishte vetëm dy ditëshe. Dhe ata absolutisht do të përdornin një nënë surrogate përsëri. Ata e duan atë”.

Lajmi është shpërndarë gjithandej në rrjetet sociale, gjersa nuk ka pasur ende ndonjë reagim nga vet Kim apo Kanye West.

Vet 38-vjeçarja kishte folur në një intervistë gjatë vitit 2018, ku kishte treguar se sa e vështirë është për të krijimi i familjes.

“Kushdo që thotë ose mendon se është e thjeshtë, e ka shumë gabim. Mendoj se është shumë më e vështirë, sepse jo gjithçka e ke nën kontroll”, kishte thënë Kim për “Tonight”. /Telegrafi/

Kim Kardashian dhe Kanye West (Foto: Bryan Bedder/Getty Images/Guliver)