Zyrtarët ukrainas i kanë kërkuar Kryqit të Kuq të kryejë një mision në një kamp burgu famëkeq në lindje të vendit të pushtuar nga Rusia.
Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, kërkoi që Kryqi i Kuq (ICRC) të vizitojë burgun Olenivka në Donetsk brenda tre ditëve, transmeton Telegrafi.
“Ne thjesht nuk mund të humbim më shumë kohë. Jetët e njerëzve janë në rrezik”, shkroi ai në Twitter.
Muajin e kaluar, Kryqi i Kuq u përpoq të siguronte hyrjen në kamp, por tha se iu ishte mohuar nga autoritetet ruse.
Burgu Olenivka ka qenë nën kontrollin e autoriteteve të mbështetura nga Rusia në Donetsk që nga viti 2014 dhe kushtet thuhet se janë jashtëzakonisht të këqija.
Në korrik, disa të burgosur ukrainas u vranë në shpërthimet në kamp, për të cilat të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën. Kievi tha se burgu u vu në cak nga Rusia për të shkatërruar provat e torturës dhe vrasjeve, ndërsa Moska fajësoi raketat ukrainase. Megjithatë, pa një hetim të pavarur, e vërteta mbetet e panjohur.
Të arrestuarit në vend përfshijnë anëtarë të batalionit Azov, të cilët ishin mbrojtësit e fundit të qytetit të Mariupolit dhe të cilët Rusia ka kërkuar t’i përshkruajë si neo-nazistë dhe kriminelë lufte.
Kjo nuk është hera e parë që Ukraina ushtron presion ndaj organizatave ndërkombëtare për të hetuar se çfarë po ndodh në burg. /Telegrafi/